Kosova po negocion për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, thotë Zemaj

Ministri i Shëndetësisë në Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se Qeveria e Kosovës po zhvillon negociata për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 “në rast se miratohet një e tillë”.

Ai nuk bëri të ditur se me cilën kompani po negocion Qeveria e Kosovës, duke thënë se “këto janë raporte interne, të tij si ministër dhe Qeverisë së Kosovës”.

“Jemi në hapat konkret, mendojmë të realizueshëm nëse vaksina nxirret në përdorim që edhe ne ta sigurojmë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Ai shtoi se si ministër i Shëndetësisë “obligohet dhe zotohet që duhet të sigurojë vaksinën për të gjithë qytetarët, pavaresisht çmimit apo mënyrës se si”, transmeton REL.

Zemaj premtoi se vaksinimi për qytetarët e Kosovës do të jetë falas.

Komentet e ministrit Zemaj u bën gjatë një ceremonie ku u njoftua për bashkëpunimin midis Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Dymbëdhjetë infermier/e, të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), do t’i bashkangjiten Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si ndihmë për të përballuar situatën me pandemisë e koronavirusit.

Më herët zyrtarë të Ministrisë së Shëndetisë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka nisur negociatat me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë si, Agjencinë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për ta siguruar vaksinën kundër koronavirusit, në momentin kur një vaksinë e tillë prodhohet dhe kualifikohet për përdorim te njerëzit.

Ndryshe, Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje shteteve që t’i bashkohen një pakti global që synon të garantojë se vendet më pak të pasura do të kenë qasje në vaksinat për koronavirus, duke paralajmëruar për rreziqet e të ashtuquajturit “nacionalizëm për vaksina”, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim se vendimi i shteteve të pasura që të sigurojnë vaksinat për qytetarët e tyre, mund të pengojë përpjekjet për t’i dhënë fund pandemisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 25 vaksina aktualisht duke kaluar në prova klinike dhe më shumë se 100 janë duke u zhvilluar në të gjithë botën.

Dy fazat e para të testimit përfshijnë një grup më të kufizuar njerëzish, por faza e tretë e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjatë për disa muaj, thotë OBSH-ja, e cila ka kërkuar nga të gjitha kompanitë dhe shtetet që t’i përmbahen udhëzimeve për prodhimin e vaksinave të sigurta dhe efektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button