Ngrënia e tepërt e orizit me vaktet tuaja, mund të jetë fatale
Pas një dite të gjatë dhe të lodhshme në punë, nganjëherë nuk ka asgjë më të mirë se sa të ktheheni në shtëpi dhe të hani disa ushqime para televizorit, transmeton Telegrafi.
Por, nëse darka juaj përmban oriz, mund të jetë më mirë të rishqyrtoni vaktin tuaj.
Kjo pasi ekspertët kanë paralajmëruar se ngrënia e tepërt e orizit mund të rezultojë fatale në planin afatgjatë.
Orizi përmban nivel të ulët arseniku dhe tani mendohet se ekspozimi i zgjatur ndaj kësaj mund të kontribuojë në mijëra vdekje të parakohshme.
Sipas hulumtimeve nga dy universitete të Mançesterit, ekspozimi i zgjatur ndaj niveleve të ulëta të arsenikut inorganik mund të lidhet me probleme shëndetësore siç janë kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Studiuesit nga Universiteti i Mançesterit dhe Universiteti i Salfordit kanë hulumtuar këtë marrëdhënie dhe gjetjet e tyre u botuan së fundmi në revistën ‘Science of the Environment Total’.
Rezultatet e tyre tregojnë se pasi të jenë marrë parasysh faktorët kryesorë që dihen për të kontribuar në sëmundjet kardiovaskulare, ekziston një lidhje e konsiderueshme midis vdekshmërisë së ngritur kardiovaskulare dhe konsumit të orizit me arsenik inorganik.
Profesori David Polya nga Universiteti i Mançesterit tha: “Lloji i studimit të ndërmarrë, një studim ekologjik, ka shumë kufizime, por është një mënyrë relativisht e lirë për të përcaktuar nëse ekziston një lidhje e besueshme midis rritjes së konsumit të orizit inorganik që mban arsenik inorganik dhe rritjes së rrezikut nga sëmundje kardiovaskulare”.
“Studimi sugjeron që 25 për qind e personave që konsumojnë më shumë oriz mund të jenë me siguri në rrezik më të madh të vdekshmërisë kardiovaskulare për shkak të ekspozimit në arsen inorganik krahasuar me 25 për qind të personave që konsumojnë më pak”.
Ende kërkohen më shumë kërkime të fuqishme për të konfirmuar këto gjetje. Aktualisht më shumë se tre miliardë njerëz në të gjithë botën konsumojnë oriz si ushqim kryesor.
Ekspertët nuk i kanë paralajmëruar njerëzit të ndalojnë së ngrëni oriz, por përkundrazi sugjerojnë të konsumojnë lloje të ndryshme orizi, të cilat dihet se përmbajnë më pak arsenik joorganik.