SHGM e revoltuar nga MPB, s’ka bisedime me Qeverinë

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është skajshmërish e pakënaqur nga përgjigja e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndaj parashtresës së SHGM-së lidhur me incidentin me gazetarët në Kuvendin e Maqedonisë që ndodhi më 24.12.2012.

Për SHGM-në është e pakuptueshme që Sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale pranë MPB-së të mos konstatojë kurrfarë përgjegjësie për largimin e gazetarëve nga galeria kuvendore. 

SHGM pret që institucionet shtetërore të mbledhin fuqi për të ndriçuar rastin. Deri sa nuk ndodh kjo, SHGM mbetet në vendimin për ndërprerje të bisedimeve me Qeverinë.

“Përgjigjet e MPB-së nuk kanë të bëjnë me parashtresën tonë. Ne kërkuam të konstatohet përgjegjësia e urdhërdhënësve dhe zbatuesve të vendimit që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të cilën gazetarët u pamundësuan t’i përcjellin ngjarjet në Kuvend. Largimi i dhunshëm i gazetarëve nga galeria e Kuvendit pa asnjë bazë juridike, paraqet akt të censurës që është e ndaluar me nenin 16 të Kushtetutës së RM-së. Rikujtojmë se në pajtim me nenin 70 të Kushtetutës së RM-së “Seancat e Kuvendit janë të hapura. Kuvendi mund të sjellë vendim të punojë pa prezencë të opinionit me dy të tretat e votave, nga numri i përgjithshëm i deputetëve”. Vendim i tillë nuk është sjellë” thuhet në kumtesën e SHGM.

SHGM rikujton se në Maqedoni askush nuk mund të jetë mbi Kushtetutën, duke përfshi edhe Kryetarin e Kuvendit.

Për SHGM-në është e papranueshme që puna e gazetarëve në çfarëdo mënyre të vendoset në korrelacion me ngjarjet në sallën plenare dhe para Kuvendit të RM-së. gazetarët aty ishin të dërguar nga redaksitë e tyre t’i përcjellin ngjarjet dhe të raportojnë për to. Me largimin nga galeria, pa asnjë sqarim nga sigurimi kuvendor, gazetarët u penguan të ushtrojnë punën e tyre, kurse opinionit i’u mohua e drejta për informim objektiv dhe me kohë.

Njëkohësisht, edhe Federata Ndërkombëtare (IFJ) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) kanë reaguar njëzëri kundër dëbimit me forcë të gazetarëve. 

“Dënojmë vendimin për t’u mënjanuar gazetarët nga debati publik për një temë të madhe të karakterit publik. Kjo masë është në kundërshtim me praktikën e mirë parlamentare që aktivitetet të realizohet nën dritën e diellit. Qasja e gazetarëve në informacione është faktor vendimtar për t’u arritur kjo. Me urdhrin për t’u mënjanuar gazetarët, autoritetet mëtuan të jenë ata që do të vendosin se për ç’gjë do të raportohet e për ç’gjë jo”, ka thënë në një deklaratë me shkrim kryetari i IFJ-së, Jim Bumelha. 

Ndërkaq, EFJ e ka cilësuar vendimin e autoritetet si censurë e gazetarisë legjitime dhe një pengesë për të mbërritur tek informacionet, ndërsa ka hedhur poshtë arsyetimin se dëbimi është bërë për arsye sigurie.

“Vendimi është më shumë një tentim për kontroll të informacioneve sesa brengosje për sigurinë (e gazetarëve). Kolegët tanë meritojnë kërkimfalje dhe zotim se të tilla masa nuk do të përsëriten”, ka thënë kryetari i EFJ-së, Arne Konig. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button