Temat më delikate të lidhjes që nuk duhet t’i ndani asnjëherë me shoqet
Ne gjithmonë i ndajmë me mikeshat gëzimet dhe dhimbjet tona. Sidomos ato të lidhjes. Ato mund të na përkrahin në kohë të vështira ose të jenë të lumtura për fitoret tona të vogla. Sidoqoftë, jeta private në çift duhet të jetë e heshtur shpeshherë, sepse ka të bëjë vetëm me dy persona, transmeton Revista Class.
Në çift, ka disa tema delikate, për të cilat, ndoshta jo gjithmonë mund të flasësh me shoqet. Cilat janë disa prej atyre temave të cilat mund t’ju vënë në siklet dhe mund ta çorientojnë pak lidhjen tuaj, ndaj është më mirë që t’i eliminoni.
Sekretet
Të flasësh shumë për të dashurin, në përgjithësi, nuk është gjithmonë e shëndetshme për lidhjen, pasi të tjerët krijojnë një imazh sipas asaj që ti u ke lënë të mendojnë. Nëse ai të thotë diçka, nuk është e domosdoshme që ta bisedosh me vajzat. Nëse ky informacion do të ishte i destinuar për të tjerët, do të ishte zbuluar pa pjesëmarrjen tënde.
Grindjet
Nuk ka çift që nuk grindet. Të gjithë grinden, pajtohen, grinden sërish e kështu vazhdon e gjithë marrëdhënia. Por nuk ka arsye për t’ua thënë këtë të tjerëve gjithmonë. Në nerva e sipër mund të thoni diçka për të cilën mund të pendoheni pasi jeni pajtuar.
Marrëdhëniet seksuale
Dhoma juaj e gjumit është një vend vetëm për dy. Nëse ti u flet mikeshave për këtë temë, rrezikon të mos besohesh nga partneri. Intimiteti ka një kuptim të caktuar. Nëse gjeni disa pika sfiduese në jetën tuaj intime, është më mirë t’i diskutoni me partnerin ose me një psikolog.
Eksperiencat e tij me ish të dashurat
“Çfarë ndodh në Vegas, qëndron në Vegas” – kjo është shumë e rëndësishme. Nëse partneri zbulon diçka rreth zakoneve të tij të dhomës së gjumit me ish të dashurat, kjo temë nuk duhet të diskutohet me të tjerët. Përvojat e mëparshme luajnë një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhënien e tanishme. Në fund të fundit, kur jeni bashkë, është koha e duhur për të fituar disa aftësi të reja dhe për të mësuar se cilat praktika intime sjellin më shumë kënaqësi tek të dy.
Frikërat e tij, as me shaka
Frika është ajo që nuk mund ta kontrollojmë. Disa njerëz janë tmerrësisht të frikësuar nga merimangat, ndërsa të tjerët urrejnë lartësitë. Shakatë për gjëra të tilla duhet të ndalohen, aq më tepër ta përdorësh këtë për të argëtuar të tjerët. Bën më mirë ta ndihmosh atë të luftojë frikën, ndoshta herën tjetër do të jetë më i sigurt.
Problemet financiare
Një periudhë e keqe financiarisht apo edhe të ardhurat e larta nuk duhen diskutuar me të tjerët, madje as me mikeshat e ngushta. Buxheti i familjes është puna juaj. Nëse keni nevojë për ndihmën e familjes, është më mirë ta diskutoni këtë me partnerin.
Të metat
Është shumë e rëndësishme që të pajtoheni me të metat e njëri-tjetrit me kalimin e kohës dhe nuk është e nevojshme që ato t’i dinë dhe të tjerët. Mund të ndodhë që ato të mos i harrojnë kurrë dhe t’i përmendin në një kohë të papërshtatshme. Nëse nuk të pëlqen diçka, tregoja partnerit. Kjo ndoshta do ta ndihmojë që të përmirësohet.