Kosovë, ministri i Brendshëm Veliu vizitoi veriun e vendit

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Agim Veliu, i shoqëruar nga zëvendësministri Milan Radojeviç dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vizitoi sot Komunën e Zubin Potokut, stacionin policor në këtë komunë, si dhe pikën kufitare në Bërnjak, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me këtë rast, ministri Veliu është njoftuar për së afërmi me punën dhe aktivitetet e këtyre institucioneve, sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet Komuna e Zubin Potokut, zyrtarët policorë në këtë komunë, si dhe policët dhe zyrtarët e tjerë kufitar, në veçanti gjatë kohës së menaxhimit të pandemisë COVID-19, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Brendshme.

Veliu me Kryetarin e Komunës së Zubin Potokut, Srdjan Vuloviç ka biseduar mbi thellimin e bashkëpunimit të kësaj komune me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, e në veçanti për nevojën e përforcimit të bashkëpunimit dhe të besimit të qytetarëve të kësaj komune në institucionet kosovare.

Ministri Veliu është pritur edhe nga komandanti i stacionit policor Zvezdan Milivojeviç, i cili e ka falënderuar ministrin për vizitën në komunën e tyre dhe njëkohësisht ka kërkuar që t’u mundësohet ndërtimi i stacionit të ri policor në këtë komunë.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Bërnjakut, Veliu ka parë nga afër punën që po bëjnë policët kufitarë dhe doganierët në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por edhe në zbatimin e rregullave të pandemisë, ashtu si në të gjitha pikat e tjera kufitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button