Michel: Propozim i ri për planin europian të rimëkëmbjes

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel do t’u paraqesë sot drejtuesve të Bashkimit Europian një propozim të rishikuar për planin e rikëmbjes së ekonomisë së BE-së, për të cilin po diskutojnë që prej të premtes, dhe e gjykon të mundur një marrëveshje.

“Ky propozim është fryt i një pune kolektive shumë intensive”, konfirmoi belgu.

“Etapat e fundit janë gjithmonë më të vështira, por jam optimist (…) Jam i bindur se një marrëveshje është e mundur”, shtoi Michel, i cili luan rolin e ndërmjetësuesit në këtë samit.

Michel njoftoi sot, pas një nate të plotë të bisedimeve, se ai do të përpiqet të ndërtojë një kompromis të ri mbi bazën e një plani të përbërë nga 390 miliardë euro subvencione, nga 500 miliardë në projektin fillestar, transmeton Alsat.

Rifillimi i samitit, i planifikuar fillimisht për në orën 16:00 është shtyrë disa herë, për shkak të diskutimeve të fundit mes europianëve për këtë projekt kompromisi.

Sipas një burimi diplomatik, marrëveshja mund të bëhet rreth një plani global të rimëkëmbjes prej 700 miliardë eurosh të financuar nga një kredi e përbashkët, që përfshin 390 miliardë subvencione dhe 310 miliardë kredi të rimbursueshme nga përfituesit.

Evropianët kanë diskutuar për këtë projekt që prej mëngjesit të së premtes, i mbështetur me vendosmëri nga Parisi dhe Berlini. Ai është i destinuar për të rimëkëmbur ekonominë e “gjunjëzuar” nga  koronavirusi. Por, për këtë duhen bindur një pjesë e vogël e vendeve më të rezervuara si Holanda, Austria, Suedia, Danimarka dhe Finlanda.

Pas pushimit prej disa orësh, drejtuesit europianë po përgatiten për negociata të gjata me shpresën për të arritur një marrëveshje mbi një plan stimulimi post-koronavirus, në ditën e katërt të një samiti të mundimshëm, kundër një sfondi të përçarjes së thellë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button