Zjarri kaploi Katedralen e Nantes
Një zjarr ka shpërthyer në katedralen e qytetit francez Nantes.
Më shumë se 60 zjarrfikës janë aktualisht në vend të ngjarjes, raportojnë mediet lokale, transmeton KOHA.
Shkaku i këtij zjarri ende nuk është bërë i ditur.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë se zjarri është përhapur. Zjarrfikësit u thirrën në katedrale orën 7:44. Ata u kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes.
Një dëshmitar i ka thënë rrjetit francez, LCI se ai mund ta shihte zjarrin nga shtëpia e tij, jo shumë larg nga katedralja. Ai ka treguar se ishte zgjuar prej “zhurmës tejet të çuditshme të kambanave”.
“Po shoh gjithnjë e më shumë tym”, ka thënë ai.
Ky nuk është zjarri i parë në katedrale. Më 1972, një zjarr dëmtoi kulmin e objektit, që u detyrua të mbyllej për tri vjet.