Vuçiç: Ne dimë si ta ruajmë paqen

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se qeveria e tij do të jetë në gjendje të ruajë paqen dhe stabilitetin në vend mes ditës së dytë të protestave të dhunshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh të regjistruar gjatë rrugës për në Paris, presidenti Vuçiç krahasoi trazirat e djeshme në qytetin verior Novi Sad me një sulm të papritur të njësive fashiste në qytet në vitin 1941. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Novi Sadit dhe pjesës tjetër të vendit t’i shmangen përballjes me “banditët”.

“Ne si shtet do ta bëjmë atë. Ne do të punojmë dhe do të fitojmë. Ne do të ruajmë paqen për vendin tonë. Dorëzimi nuk ishte kurrë një opsion. Tani jam duke udhëtuar për në Paris për të luftuar për Serbinë tonë. Shihemi së shpejti. Serbia fiton”, tha Vuçiç.

Siç është planifikuar, gjatë ditës Vuçiç do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit Beograd pasi qeveria mori vendime të reja për të frenuar rastet në rritje të koronavirusit të ri (COVID-19).

Protestat që filluan të martën në mbrëmje në Beograd, u përhapën në qytete të tjera të mëdha, përfshirë në Nish, Kragujevc dhe Novi Sad.

Protestuesit u përleshën me policinë përderisa u përpoqën të hyjnë me dhunë në Asamblenë Kombëtare pasi forcat e sigurisë vendosën kordonin në hyrjen kryesore të ndërtesës. Midis protestuesve para ndërtesës ishin edhe drejtues të opozitës.

Ndërkohë, protestuesit në Novi Sad arritën të thyejnë dyert e ndërtesës së Radio-televizionit në këtë qytet.

Shumë oficerë të policisë u plagosën gjatë protestave.

Sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, deri më tani, Serbia ka konfirmuar 17.076 raste me COVID-19 dhe 341 vdekje ndërsa numri i pacientëve të shëruar nga ky virus aktualisht arrin në 13.562.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button