Grusht shteti ‘demokratik’ në Egjipt!

Ushtria dhe ushtarakët në Egjipt kanë histori të gjatë shantazhesh e grusht shtetesh. Ata sollën në pushtet dhe mbrojtën regjime totalitare për dekada të tëra, që nga koha e Naserit e deri tek Mubaraku. Madje, ata u munduan deri në frymën e fundit ta mbrojnë ‘fronin’ e Mubarakut dhe bandave të tij. Mirëpo, në momentin që u ndeshën me gjithë popullin, ata bënë tërheqje taktike, duke i mundësuar Mubarakut dhe klanit të tij gjykim formal ‘pesë yjesh’, si dhe duke siguruar vazhdimësinë e frymës së po të njejtit regjim, në formën e ‘nëntokës’. 
Pas revolucionit të 25 janarit (2011), regjimi autoritar i Mubarakut u zëvendësua me qeverisjen e  ushtarakëve. Mirëpo, si rezultat i vazhdimit të lëvizjes dhe protestave mbarëpopullore, ushtarakët u detyruan që të tërhiqen nga skena, qoftë edhe përkohësisht, duke mundësuar kështu që, për herë të parë, Egjipti modern të udhëhiqet nga një qeveri civile, e zgjedhur nga vota e lirë, në zgjedhje fer dhe demokratike, për korrektësinë e të cilave dëshmoi e gjithë bota.
Kështu, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, presidenti Mursi fitoi 52% të votave. Mëpastaj u përpilua dhe miratua kushtetuta me 64% të votave.

Në Egjipt filloi një epokë e re. 
Përreth gjitha shantazheve, komploteve të brendshme dhe të jashtme, si dhe pengesave nga shumë qarqe, udhëheqësia e zgjedhur egjiptase ecte me hapa të sigurtë drejt krijimit të institucioneve si dhe shtetit të së drejtës, duke shënuar rezultate të dukshme edhe në planin zhvillimorë. 

Mirëpo, një fillim i këtillë i mbarë i këtij shteti bosht në lindjen e mesme nuk ju konvenonte shumë ‘lojtarëve’, qoftë brenda në Egjipt, në rajon si dhe më gjerë.  
Prandaj, të shumta ishin tentativat për të ndalur hovin zhvillimor të Egjiptit, herë përmes propagandës negative, herë përmes protestave të dhunshme, herë përmes bandave kriminale, e herë përmes bllokimit të institucioneve nga hordhitë e sistemit paraprak. E, në momentin kur të gjtha këto tentative dështuan, atëherë opcion i vetëm mbeti ushtria, në saje të përvojës së saj të gjatë në organizimin e puçeve.
Ashtu edhe ndodhi. Protesta e 30 qershorit (2013), e cila ishte orkestruar që më parë nga disa qarqe ‘liberale’, nën dirigjimin e udhëheqësisë ushtarake si dhe shumë agjenturave të huaja, u shfrytëzua si alibi për të realizuar atë që ishte planifikuar shumë më herët, respektivisht grusht shtet ushtarak. 

Kështu, pas një ultimatumi 48 orësh lëshuar nga kreu i ushtrisë në adresë të presidentit të zgjedhur nga populli, si dhe disa orë para skadimit të afatit të ultimatumit, opinioni ndërkombëtar u shokua nga lajmi i kidnapimit të presidentit të shtetit, mbyllja e disa rrjeteve televizive, arrestimi i dhjetëra përfaqësuesve të partisë në pushtet…etj., duke mundësuar kështu daljen përsëri në skenë të fallangës ushtarake si dhe mbeturinave të pushtetit paraprak, duke përfshirë edhe disa pseudo-liberalë.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit, reagimi i parë dhe më spektakolar ishte ai i gjakpirësit Bashar al-Asad, edhe atë, për arësye të njohura, ngase qeveria Egjiptase kishte ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike me Sirinë, në shenjë proteste për terrorin që po ushtron regjimi sirian ndaj popullatës së vetë të pafajshme.

Poashtu, nuk ishte e befasishme as përshëndetja e këtij grusht shteti nga ana e petro-monarkëve të Gjirit Persik, të cilët, që në momentin kur filloi pranvera arabe, ata nuk vënë gjumë në sy, nga frika se një rizgjim i këtillë mund të ju jepte fund edhe mbretërive dhe principatave të tyre të kalbura familjare, fisnore dhe klanore. Andaj, ata kishin vënë në dispozicion të gjithë potencialin e tyre ekonomik dhe agjenturial, jo vetëm për shuarjen e këtij procesi rizgjues, por edhe kthimin e gjërave në gjendjen e mëparshme. Kjo gjë u dëshmua qartë me rolin e tyre mjaft destruktiv në rastin e Jemenit si dhe me ofrimin e azilit politik për ish-diktatorin tunizian dhe atë jemenas. Ndërsa rasti më eklatant ishte dhe mbetet përkrahja e tyre e vazhdueshme mediale, logjistike dhe financiare ndaj mbeturinave të ish-sistemit në Egjipt.

Në këtë mish-mash reagimesh dhe kundër-reagimesh, ajo që ra më së shumti në sy ishte qëndrimi i atyre shteteve dhe qarqeve të cilat edhe sot e kësaj dite nuk ndalen së ‘shituri mend’ gjithë botës për demokraci dhe vlera demokratike. Kështu, me të ndodhur grusht shteti i fundit ushtarak në Egjipt, ata përnjëherë i “harruan” parimet dhe rregullat e demokracisë, dhe filluan të shtiren të “pasigurtë” në lidhje me atë se, a thua vallë, ajo që ndodhi është në të vërtetë grusht shtet apo jo!? Madje, ditë me rradhë, nga ana e tyre dëgjonim deklarata shumë kontradiktore, të cilat krijonin mjegulli të qëllimshme në lidhje me atë që ka ndodhur. Nga fjalët e tyre nuk mund të kuptohej dot se çka në të vërtetë dënonin dhe kë e përkrahnin. 
Mirëpo, kjo mjegulli nuk zgjati shumë. Në momentin kur mjetet e informimit nxorrën në shesh skandalin se, këto qarqe, jo vetëm që e dijnë mirëfilli se një veprim i tillë paraqet krim politik dhe njerëzor, por të njejtat kanë qenë edhe pjesëmarrëse në orkestrimin e këtij puçi shtetëror, atëherë, sakaq, këta “demokratë” dhe “liberalë” të “pafajshëm” e ‘ndërruan gëzofin’, e bashkë me të edhe rregullat dhe parimet e demokracisë, duke pretenduar se demokracia nuk na qenka vetëm kuti votimi por edhe respektim i vullnetit të popullit! 

Për më tepër, ‘marifeti’ i tyre nuk mbaroi me kaq, porse ata shkuan aq larg sa që, papritmas ‘zbuluan’ se qeveria e presidentit Mursi na paska qenë jodemokratike, ngase, përgjatë një viti të mandatit të saj, ajo nuk i paska përmbushur planet zhvillimore të premtuara! E këtu, s’ka se si të mos parashtrohet pyetja mohuese se, a thua vallë, kush ua ka dhënë të drejtën këtyre ‘policëve botërorë’ të gjykojnë për nivelin e demokracisë si dhe realizimin e platformave zhvillimore në një vend tjetër, kur dihet mirëfilli se ata nuk i kanë në dyzen punët ne vendet e veta në të cilat qeverisin!?

O tempora o mores! 
S’do mend se, deklaratat e këtilla, sa kontradiktore, naive dhe amatore që duken, ato janë po aq edhe qëllimkëqija. Themi se janë kontradiktore, naïve dhe amatore, nga fakti se ato bien ndesh me parimet kryesore demokratike, e që janë zgjedhjet e lira dhe respektimi i vullnetit të shumicës. Ndërsa, qëllimi i keq qëndron në atë se, deklaratat e këtilla, përpos që janë të njëanshme, me ç’rast përkrahin njërën palë kundrejt një pale tjetër, ato japin sinjale të cilat lënë të kuptohet se, një grup njerëzish, në krye me udhëheqësinë ushtarake, kurdoqoftë, mund të hedhin poshtë të gjitha organet shtetërore të zgjedhura nga ana e shumicës, duke hapur në këtë mënyrë ‘dyert e ferrit’ në çdo shtet, ku ‘apetitet’ e brendshsme dhe të jashtme janë të mëdha.

Dyftyrësia e këtyre qarqeve nuk njeh kufij. Ata, në vend se ta dënojnë puçin ushtarak dhe të kthehen e ta dëgjojnë zërin e miliona përkrahësve të legjitimitetit të cilët protestojnë anekënd Egjiptit, ata ftojnë që të shpejtohet “procesi demokratik” dhe të mbahen sa më shpejtë që është e mundur “zgjedhje të lira e demokratike”! E, më këtë rast, e paevitueshme është pyetja çuditëse se, a thua vallë, çfarë “demokracie” kanë për qëllim këta ‘padronë’, dhe çfarë “zgjedhjesh” dëshirojnë?! Kjo, sidomos kur dihet mirëfilli se zgjedhja e presidentit Mursi ndodhi përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Të shpërbësh parlamentin e zgjedhur me vota të lira, të injorosh vullnetin e 52% të votuesve, të anulosh kushtetutën, të kidnaposh presidentin legjitim, të arrestosh figurat politike të një subjekti politik, të mbyllish mjetet e informimit…etj., e gjithë kjo, sipas tyre, na qenka demokraci. Në anën tjetër, pretendimi se ‘masat e këtilla janë rezultat i kërkesave popullore’, duke injoruar jo vetëm rezultatet e zgjedhjeve dhe referendumeve, por edhe turmat dhe protestat masive paqësore pro-legjitimitetit, të cilat tejkalojnë shumëfish numrin e lëvizjeve shkatërruese dhe vrastare, e gjithë kjo, sa jodemokratike që është, ajo është po aq edhe djallëzore.
Madje, po të ishte kidnapuar qoftë edhe një përgjegjës i një sektori civil për më se dy javë rresht, pa ndonjë aktakuzë dhe pa mos u ditur vendi i tij i qëndrimit, me siguri se  një gjë e tillë do të nxiste reagimin e të gjitha institucioneve ndërkombëtare, të cilat do të ishin ngritur në këmbë për të kërkuar shpjegim se ç’ndodhi me atë person. Ndërsa, në momentin që, në Egjipt, për më se dy javë të tëra mbahet peng kryetari i shtetit, i zgjedhur në mënyrën më demokratike të mundshme, ndaj një skandali dhe krimi të këtillë e gjithë bota “demokratike” qëndron turpërisht indiferente. Kjo, përpos disa zërave të paktë aty-këtu, të cilët kërkojnë lirimin e tij!     
Ka mbetur edhe pak kohë që shtetet dhe personalitetet të cilat hiqen si demokratë, ta ruajnë kredibilitetin dhe epitetin e tyre prej demokrati, dhe të dalin në mbështetje të legjitimitetit në Egjipt, duke i quajtur ngjarjet me emërtimet e vërteta, duke dënuar grusht shtetin si dhe duke përkrahur vullnetin e popullit egjiptas. Përndryshe, njerëzit do të pushojnë së besuari në parimet dhe rregullat demokratike dhe do të fillojnë ta urrejnë demagogjinë e ‘predikuesve’ të saj (demokracisë). 

Njëherit, mbështetja e legjitimitetit do t’ua ndërpritte apetitet negative të gjithë atyre të cilët nuk besojnë në demokraci dhe në kutitë e votimit.       
Përndryshe, historia do të shkruajë se, Unioni Afrikan, i cili e ka ngrirë anëtarësinë e Egjiptit, shkaku i grusht shtetit, e ka njohur dhe respektuar frymën demokratike më mirë se sa shumë ‘unione’ dhe vende tjera, të cilat hiqen si bastione të demokracisë. 
Qeveritë, qofshin ato civile apo ushtarake, shkojnë e vijnë. Ai që mbetet është populli dhe vullneti i tij. Andaj, aleanca dhe të qëndruarit në krahun e popujve është zgjedhje më e mirë dhe më e sigurtë se sa aleanca me çfarëdo qeverie, qoftë ajo edhe qeveri e djallit.
Madje, nuk është larg dita kur, ata që mundohen të hapin varre për të tjerët, shumë shpejtë mund të bëhen viktimë e kurtheve të veta.

Historia nuk harron dhe popujt nuk falin. 

Andaj, kujdes!

Lajme të ngjashme

Back to top button