Zgjedhjet lokale, matematika e RDK-së

Brenda më pak se dy muajve partitë politike në Maqedoni do të kenë rastin të përballen përsëri me votuesit dhe të masin edhe njëherë fuqinë e tyre politike. Mirëpo, për dallim nga zgjedhjet parlamentare, ku suksesi matet me numrin e votave të përgjithshme dhe numrin e deputetëve që fiton secila parti, interpretimi i rezultateve të zgjedhjeve lokale është disi më i komplikuar. Për shembull rezultati mund të matet me numër të përgjithshëm votash, numër më të madh komunash ose këshilltarësh komunalë, por nga ana tjetër jo secila komunë ka peshë të njëjtë, fituesi i rrethit të parë mund të humbë në rrethin e dytë varësisht nga koalicionet e kështu me rradhë. 

Me një fjalë, gara zhvillohet veç e veç në çdo komunë, në rrethana politike të ndryshme dhe nuk ka një matës të vetëm të suksesit të njërës apo tjetrës parti.  Secila prej tyre ka matematikat e veta, peshoren e vet me të cilat mat rezultatet dhe definicionin e vet se çka paraqet për të. Në një seri analizash për Portalb kam ndërmend të jap opinion tim se si duken peshoret e secilës parti veç e veç, gjegjësisht se si duhet të interpretohen rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme për ta. Po ja filloj me partinë momentalisht më të vogël, RDK-në.

RDK për herë të parë garoi në zgjedhje në 2011, kur arriti të tubojë rreth 30.000 vota dhe fitoi dy mandate deputetësh. Si parti relativisht e re, me degë ende të pakonsoliduara mirë, nga ajo nuk mund të pritet ndonjë rezultat spektakular as këtë rradhë. Dallimi në vota me partitë e mëdha realisht nuk mund të jetë zhdukur gjatë afatit të shkurtër mes dy cikleve zgjedhore, por ky numër i përgjithshëm votash nuk do të jetë matësi i vërtetë i suksesit të RDK. Në këto zgjedhje ajo duhet të adresojë me sukses një dilemë të vetme: a është parti e përkohshme e destinuar të pësojë fatin e DR-së, apo është parti me perspektivë afatgjate? Që të japë përgjigje pozitive në këtë pyetje, ajo mjafton të shënojë progres nga 2011, progres që mendoj se do të dëshmohet me tre gjëra: rritje të votave totale në vend, rritje të votave në disa komuna kyçe dhe fitore të pastër në Gostivar.

30 000 votat që RDK tuboi në zgjedhjet e fundit përbënin rreth 13% të votës totale shqiptare, me çka ajo u bë partia e tretë më e madhe shqiptare, duke zëvendësuar DR-në. Që të konsiderohet relevante dhe të japë përgjigje pozitive në pikën e parë të dilemës, ajo duhet të dëshmojë se në ndërkohë ka rritur rejtingun e vet dhe se është në gjendje të rritë numrin e votave të saj, si bazë për përparim të mëtutjeshëm në shtigje më të gjata. Si pikë e logjikshme referimi mund të shërbejë numri prej rreth 45 000 votash që RDK duhet ti tubojë me çdo kusht, e që mund të arrihet nga dy anë të ndryshme.

Së pari, ky numër paraqet afër 20% të votave totale shqiptare dhe është njëfarë rejtingu minimal që një parti të konsiderohet relevante. Përveç kësaj, RDK duhet të dëshmojë se ka ruajtur votuesit e vet nga zgjedhjet e kaluara, se ka arritur sadopak të gërryejë në bazën e BDI dhe PDSH dhe se ka kthyer kah vetja një numër votuesish të partive më të vogla. Nëse nisemi nga disa minimume reale, ajo duhet të kthejë kah vetja rreth 5% të votuesve të pakënaqur të partive të mëdha (mbi 9000 vota) dhe 20% të votuesve të partive më të vogla (mbi 5000 vota), me çka duhet t’i afrohet numrit prej 45 000 votash. Nëse RDK ka humbur zgjedhës në dy vitet e fundit, nuk ka arritur të kthejë 1 nga 20 votues të partive më të mëdha, ose 1 nga 5 votues të partive tanimë thuajse të zhdukura, atëherë nuk duket se ajo ka ndonjë ardhmëri të madhe në skenën politike. Rezultati eventual nën 45 000 vota duhet të konsiderohet si dështim në zgjedhje për këtë parti.

Pika e dytë, numri i votave nëpër disa komuna kyçe, ndoshta është edhe më relevant se numri i votave totale në shtet. Në zgjedhjet e fundit RDK ka mbledhur mbi 35% të votave të saja në dy komuna, Gostivar dhe Vrapçisht. Në disa komuna të mëdha rezultati i saj ka qenë skajshmërisht i dobët. Në Tetovë për shembull RDK ka patur vetëm 6% të votave shqiptare, në Çair 7% dhe është rradhitur e katërta, në Strugë dhe Kumanovë rreth 13%, poashtu e rradhitur e katërta. Rezultati i këtillë ndoshta ishte i kuptueshëm dhe i arsyetueshëm në 2011, kur RDK ishte parti e sapoformuar, pa infrastrukturë jashtë rajonit të Gostivarit. Mirëpo tani ajo duhet të dalë jashtë lëvozhgës së saj lokale, të tregojë se ka punuar në terren, se ka shtrirje të gjerë gjeografike dhe se kudo ka arritur të ndërtojë infrastrukturë të shëndoshë partiake që do t’i shërbejë mirë në të ardhmen. Në këtë drejtim, si matës i rëndësisë politike për një opsion të tretë të fuqishëm, përsëri mund të merret një minimum prej 20% të votave shqiptare. Kështu RDK duhet të arrijë të mbledhë të paktën rreth 6000 vota në Tetovë, 4000 në Çair dhe nga 3000 në Strugë, Kumanovë dhe disa komuna më të mëdha rurale. Përsëri, dështimi eventual në këtë drejtim do të thoshte se partia nuk ka ndonjë ardhmëri si lojtar global në skenën politike.

Për momentin RDK është në pushtet vetëm në Gostivar, ku kryetari i kësaj partie fitoi si kandidat i pavarur në 2009. Në fakt, fitorja e atëhershme vuri bazën për themelimin e vetë partisë dhe prandaj Gostivari, përveç pushtetit real që ofron, ka edhe një rëndësi simbolike për partinë. Në zgjedhjet parlamentare RDK humbi një sasi votash në këtë qytet, mirëpo kjo mund të shpjegohet edhe me atmosferën euforike dhe numrin e stërmadh të votave në 2009, që domosdo nuk mund të vazhdonte gjatë. Prandaj, në këto zgjedhje, me fitore në Gostivar RDK duhet të dëshmojë se nuk është vetëm parti e bazuar në emocione, e rastit dhe e çastit, por parti afatgjate e bazuar në vlera të shëndosha politike.

Lartë poshtë pra, synimi i RDK-së për zgjedhjet lokale është të dëshmojë se është këtu për të ndejtur dhe se do të mbetet edhe më tej relevante në skenën politike. Për të bërë këtë, mjafton që ajo të përmbushë caqet që janë ravijëzuar më lartë. Nëse partia eventualisht arrin të dalë e dyta me numrin e përgjithshëm të votave, ose të fitojë disa komuna, atëherë kjo do të duhej të konsiderohet si sukses spektakular. Mirëpo, për partinë nuk do të jetë tragjike as nëse ajo nuk fiton asnjë komunë tjetër jashtë Gostivarit; mjafton që në disa prej tyre vetëm të plasohet në rrethin e dytë. Me një numër të konsiderueshëm votash dhe me shtrirje më të gjerë gjeografike, RDK, përveç tjerash, do të fitojë edhe një numër të konsiderueshëm këshilltarësh komunalë. Duke ndjekur shembullin e deputetëve të partisë, ata mandej mund të luajnë rol tejet aktiv në këshillat e komunave, e bile edhe të hyjnë në koalicione qeverisëse lokale, duke ia rritur edhe më tej rejtingun partisë, duke ia zgjeruar infrastrukturën dhe duke ia përgatitur kështu bazën për suksese më të mëdha në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse arrin të përmbushë këto caqe, partia do të mbetet konstantë në arenën politike në vend dhe nuk do të shuhet ashtu si DR-ja, ndërsa për fitore edhe më të mëdha do të duhet të presë ndonjë cikël tjetër zgjedhor.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button