Gjykata Penale përgënjeshtroi informatat se një i punësuar është infektuar me Covid-19

Gjykata Themelore Penale Shkup, ka përgënjeshtruar informacionet e shpërndara në disa media më 1 qershor se një i punësuar në këtë gjykatë është pozitiv me Covid – 19, njofton Portalb.mk.

Gjykata ka informuar se personi në fjalë, menjëherë ishte dërguar për testim dhe pas rezultateve të marra i njëjti ka dalë negativ në testimin për virusin dhe rezultatet e testimit i janë dorëzuar administratës së gjykatës.

“Si gjykatë iu bëjmë thirrje mediave dhe të gjitha subjekteve të tjera të cilat shpërndajnë informacione  në portale dhe rrjetet sociale për gjykatën, t’i kontrollojnë informacionet para publikimit të tyre. Gjykata angazhohet për punë transparente dhe llogaridhënie dhe ka bashkëpunim të shkëlqyer me një pjesë të madhe të mediave”, kanë thënë nëpërmjet një komunikate nga Gjykata Kushtetuese.

Më tej kanë shtuar se, secili informacion i pakontrolluar dhe i pasaktë përveç se e dëmton imazhin e institucionit mundet negativisht të reflektojë edhe te të punësuarit ose qytetarët si në këtë rast.

“Deri më tani disa herë e informuam publikun se si gjykatë rreptësisht i respektojmë rekomandimet për mbrojtje nga virusi. Sallat gjyqësore dhe hapësirat e gjykatës dezinfektohen rregullisht, të punësuarve dhe palëve të cilët hynë në gjykatë iu matet temperatura, secili është i obliguar që të bart maskë mbrojtëse dhe doreza, mbahet distancë e të pranishmëve në hapësirat e gjykatës, ndërsa të gjithë të punësuarit të cilët janë të sëmurë kronikë, prindër vetushqyes ose ruajnë fëmijë më të vogël se 10 vjet janë të liruar nga puna”, thuhet në kumtesë.

Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se, deri në këtë moment asnjë i punësuar nuk ka denoncuar se ka pasur kontakt me të sëmurë dhe se i është dhënë rekomandim për vetizolim, ndërsa nëse dikush denoncon se është pozitiv në virus gjykata do t’i ndërmarrë të gjitha masat sipas udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button