Të shtunën do të vendoset nëse do të vazhdojë ose jo gjendja e jashtëzakonshme

Këshilli i Sigurimit do të mblidhet të shtunën, e cila është dita e fundit, gjegjësisht e 14-ta e gjendjes së jashtëzakonshme që më 15 maj e shpalli presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, për shkak të pandemisë së KOVID-19, njofton Portalb.mk.

Nga Kabineti i Presidentit e kanë konfirmuar se të shtunën presidenti do të thirr mbledhje të Këhsillit të Sigurimit, pavarësisht nëse do të ketë ose jo kërkesë të re të Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme.

Duke filluar që nga 18 marsi, presidenti deri më tani ka shpallur tre herë gjendje të jashtëzakonshme, dy herë nga një muaj dhe njëherë 14 ditë. Asnjëri vendim nuk është konfirmuar nga Kuvendi pasi që i njëjti është i shpërndarë dhe për atë nuk mund të mblidhet. Kuvendi sipas të gjitha gjasave nuk do t’i konfirmojë edhe pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Kryeministri Oliver Spasovksi tha se Qeveria ende po bën analiza nëse do të kërkojë edhe një vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, kryesisht me qëllim që të zbatohen masat ekonomike.

Pasi të mbarojë periudha e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojnë veprimet zgjedhore, kështu që sipas parashikimeve votimi duhet të mbahet 22 ditë pas prej ditës së shtunë. 

Partitë politike akoma nuk kanë vendosur për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Pozicionet e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në lidhje me këtë çështje janë të kundërta. Nga kabineti presidencial, kanë deklaruar se presidenti, pret përafrimin e qëndrimeve të partive, për thirrjen e një takimi të re për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

“Presidenti do të thirr takim të liderëve, nëse ka përafrim të qëndrimeve të partive”, kanë thënë nga kabineti i presidentit Pendarovski.

LSDM, propozon që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor, me argumentin se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, që të sigurohen institucione tërësisht funksionale. Ndërkohë, VMRO-ja opozitare, e cila në takimin e liderëve propozoi tre termine: 23, 30 gusht dhe 13 shtator, nuk lëshon pe nga pozicioni i saj se zgjedhjet nuk mund të mbahen në qershor, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Portalb.mk.

Liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, më 12 dhe 18 maj,në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, megjithatë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button