Numri i rasteve me koronavirus në Rusi shkon në mbi 350 mijë

Numri i rasteve me koronavirus në Rusi sot ka tejkaluar shifrën prej 350 mijë, njoftuan autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Së paku 8.946 raste të reja u raportuan gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar shifrën në 353.427, bëri të ditur task forca e emergjencës në një raport të përditshëm.

Virusi po ashtu ka marrë edhe 92 jetë, duke e çuar numrin e vdekjeve në 3.633, thuhet më tej.

Ndërkohë, numri i të shëruarve arriti në 118.798, përfshirë 5.499 të regjistruar që nga dje.

Rusia vazhdoi testimet masive për COVID-19 që synojnë të zbulojë sëmundjen në fazat e hershme kur është më pak ngjitëse. Deri më tani, deri në 8,9 milionë teste janë kryer në këtë vend, ndërsa më shumë se 287.000 qëndrojnë nën mbikëqyrje mjekësore me infeksione të dyshimta.

Përkundër masave të rrepta, të cilat përfshijnë izolimin e kryeqytetit Moskë, ndalimin e hyrjes së të huajve dhe personave pa shtetësi dhe pezullimin e trafikut ndërkombëtar ajror dhe hekurudhor, Rusia është vendi i tretë më i prekur për sa i përket numrit të rasteve, pas SHBA-së dhe Brazilit.

Tre zyrtarë të lartë rusë, përfshirë zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov, janë duke u trajtuar në spital për koronavirusin, ndërsa tre të tjerë janë liruar.

Pandemia ka marrë jetën e më shumë se 346 mijë personave në mbarë botën që nga shfaqja në Kinë dhjetorin e kaluar.

Deri më tani, më shumë se 5,5 milionë raste janë raportuar në të gjithë botën dhe afër 2,3 milionë njerëz janë shëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button