Të vendosim fliterë në fjalët tona

Njeriu është qenie të cilën Allahu i madhërishëm e pajisi me një begati të veçantë e kjo është aftësia e të folurit. Varësisht nga kjo kur dëshiron të tregojë diç, njeriu flet.

Kur dëshiron të shkëmbejë mendime me tjerët ai flet. Kur diç nuk e kënaq njeriu ankohet. Kur pyetet për diç, ai përgjigjet. Kur diç kërkon ai ndërmjetëson. Kur diç arsyetohet, njeriu kërkon justifikim. Kur për diç obligohet ai bën marrëveshje. Pra, njeriu në mënyra të ndryshme shfrytëzon begatinë e të folurit.

Mirëpo, secila begati është një kohësisht edhe përgjegjësi për të cilën duhet pasur kujdes. Kështu është edhe me të folurit. Allahu i madhërishëm na paralajmëron rreptësisht të jemi të kujdesshëm për atë që flasim në mënyrë që fjalët tona mos të devijojnë nga veprat tona:

            “O ju që besuat, pse po e thoni atë që nuk e punoni?

            Tek Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!”

(Es – Saff, 2-3)

Edhe Pejgamberi s.a.v.s. shpesh ka paralajmëruar në begatinë e të folurit. Kështu me një rast ka thënë: “Kush beson Allahun dhe ditën e Gjykimit, le të flet atë që është e mirë ose le të hesht!” Na ka paralajmëruar që njerëzit në zjarrin e xhehennemit më së shumti i sjell gjuha (të folurit) e tyre, ndërsa bashkëshorten e tij, Aishën r.a. e ka qortuar vetëm për një fjalë të shëmtuar që ka thënë për një grua.

Është e njohur fjala e njohur arabe e cila thotë: Gjuha është sikurse luani. Nëse e mban dhe kujdesesh për të, ai do të mbrojë, por nëse e lëshon ai të shqyen!

Ne jetojmë në kohën kur shumë flitet dhe bisedohet, por fare pak ka kujdes për përmbajtjen, të vërtetën dhe rëndësinë e të folurit dhe fjalëve tona.

Nëse në një fabrikë industriale nuk vendosen filterët adekuat, mjedisi shpejt do të ndotet. Njëjtë ndodh edhe nëse ne fjalëve tona nuk u vendosim filterë. Çfarë janë këta filterët dhe si t’i vendosim? Të dëgjojmë shembullin në vijim dhe lehtë do të mësojmë.

Në një rast një dijetari islam iu afrua një njeri dhe e pyeti: “A e di çka kam dëgjuar për mikun tënd?”

Dijetari i tha: “Para se të flasësh çfarëdo qoftë, do të dëshiroja që në fjalët e tua t’i vendosësh tre filterë!”

Njeriu u befasua, por pranoi dhe dijetari e pyeti: “E para, a je absolutisht i sigurt se atë që ke dëgjuar për mikun tim është e vërtetë?”

Njeriu u përgjigj se nuk është plotësisht i sigurt.

Dijetari lëvizi kokën dhe vazhdoi me pyetjet: “E dyta, a thua ajo që dëshiron të më tregosh për mikun tim është diç e mirë dhe e bukur?”

Njeriu u përgjigj se nuk është, përkundrazi ka të bëjë me diç të shëmtuar.

Dijetari pyeti: “E treta, a thua miku im apo unë do të kem ndonjë dobi nga ajo që planifikon të më thuash për të?”

Njeriu ngriti supet dhe tha se nga kjo askush nuk do të ketë dobi.

Dijetari e shikoi dhe pastaj tha: “Të shohim! Pra, ti ke pasur për qëllim të më thuash diç për njeriun tjetër, ndërsa nuk je i sigurt që ajo është e vërtetë. Pos kësaj, ke pohuar se ajo që do të më thuash nuk është një gjë e bukur dhe askush nuk ka dobi.

Nëse është kështu, nuk e di përse këtë dëshiron të më thuash!”

Natyrisht ky njeri me fuqinë e argumentit u ngadhënjye dhe në fund nuk i ra ndërmend të thotë atë për të cilën kishte ardhur. Por, me rëndësi nga e gjithë kjo është mësimi që marrim nga kjo përgjigje e urtë dhe simpatike.

Duhet pranuar që edhe ne shpesh nuk na vie rëndë të flasim çfarëdo për dikë, pa marrë parasysh se në fjalët tona a ka të vërteta dhe a janë të bukura dhe të dobishme për mjedisin.

Derisa mendojmë për këtë, le të përkujtojmë versetet e kaptinës el-Huxhurat:

            “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke e nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë.

            O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i All-llahut, e All-llahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.”

(El – Huxhurat, 11-12)

Lutemi Allahut të na bëjë prej atyre që flasin të vërtetën dhe veprojnë sipas saj. AMIN!

 

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button