Topi i Artë është vendosur

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se fituesi i Topit të Artë tashmë është vendosur, për faktin se ‘krerët e futbollit’ e kanë kandiduar Lionel Messin.

Sulmuesi i Barcelonës është aktualisht favorit për ta fituar çmimin prestigjioz individual për të katërtin vit rresht, por fillimisht duhet t’i mposhtë kundërshtarët si Cristiano Ronaldo nga Real Madrid dhe shokun e skuadrës, Andres Iniesta, me të cilët bën pjesë në listën e shkurtër.

“Topi i Artë tashmë është vendosur se kujt do t’i jepet. Kur krerët e futbollit flasin dhe bëjnë fushatë, nuk mund të bësh asgjë”, deklaroi Mourinho të mërkurën mbrëma, i pyetur nëse lojtari i tij Ronaldo ka gjasa për ta fituar këtë trofe.

Ai më pas foli edhe për kualifikimin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, edhe pse në vend të dytë në Grupin D, pas fitores ndaj Ajaxit me rezultat 4:1 falë golave të Cristiano Ronaldos, Jose Callejon (2) e Leite Kaka.

“Duhet ta respektojmë çdo ekip. Vitin e kaluar e thyem rekordin në fazën e grupeve dhe këtë vit, në ‘grupin e vdekjes’ ishim të dytët. Donim të ishim të parët, por nuk ishte e mundur”, shtoi ‘Special One’, i cili e hodhi poshtë mundësinë që të shkojë në Paris Saint Germain gjatë verës së vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button