Rikujtim në përvjetorin e tretë: Më 27 Prill e okupuan Shtëpinë e demokracisë, u sulmuan deputetët e gazetarët

Sot, më 27 prill 2020, mbushen saktë tre vite prej ngjarjeve që ndodhën në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Sulmi ndaj deputetëve nga një numër i madh i njerëzve (tifozë partiak) hyn në sallën e konferencave, me çrast deputetët iu ekspozuan sulmeve të vazhdueshme fizike dhe verbale të cilat zgjatën me orë të tëra.
Gjithçka dukeshte në sy të publikut, pasi aty ndodheshin edhe gazetarë e kameramanë. Pamjet e tilla u dukën derisa u ndaluan raportimet e drejtpërdrejta nga ana e mediave. Edhe gazetarët pësuan dëmtime dhe kërcënime. Por, e gjithë ngjarja që trishtoi pjesëtarët e Kuvendit, por edhe opinionin e gjërë edhe pse pati dëme material dhe dëmtime në njerëz, nuk pati viktima. Ai që u lëndua më shumë ishte deputeti Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, shkruan Portalb.mk.

Procedurat e ngjarjeve ndonëse morën kahe të ndryshme dhe i dhanë një drejtim tjetër udhëheqjes qeverisëse, por edhe vendit në veçanti, akoma, sot, zhvillohen procedura gjyqësore. Por, për shkak të pandemisë (Kovid-19), të gjitha seancat publike janë anuluar.

“Seanca publike të parashikuara për më 18, 19 dhe 30 mars, të këtij viti për lëndën “27 prilli” shtyhet në dobi të shëndetit publik dhe parandalim, ndërsa në harmonizim me masat dhe rekomandimet e dhëna nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, kumton Gjykata e Apelit Shkup.

Aleanca për Shqiptarët, në rikujtimin e ngjarjeve më të brishta për këtë parti dhe për vendin në përgjithësi  sot mbajti konference shtypi,duke bërë të ditur se kryetari i kësaj partie ishte  në ballë të betejës, jetë apo vdekje.

Zoran Zaev, 27 prill 2017

“Ju e dini se tashmë kjo datë mbahet mend nga të gjithë si dita që desh mori jetën e z.Ziadin Selës, kryetarit të partisë tonë, i cili ishte i vetmi kryetar i ndonjë partie shqiptare që mori pjesë në betejën historike të kësaj date të 2017-ës, kur u rrëzua një regjim që e mbylli dhe izoloi totalisht mbi 10 vjet RMV-në, një regjim i përbërë nga binomi BDI – VMRO. Sigurisht që nuk duam të kujtojmë dhunën makabre që u ushtrua mbi trupin e tij, por sot duam që kjo datë të kujtohet nga të gjithë si dita kur Ziadin Sela u vu në ballë të betejës që vendi ynë të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së. Sot, 3 vjet pas këtij rasti, fatkeqësisht organizatorët kryesor të ngjarjes së 27 prillit, janë jashtë shtetit ose nëpër koloaret e pushtetit, kurse njeriu që e shpëtoi z.Selën, z Feta Halimi, është në burg padrejtësisht! Mos ardhtë më asnjë ditë ku gjërat e mira do duhet t’i fitojmë me gjakun tonë! E bëfshim këtë vend më të mirë me votë dhe jo me dhunë”, kumtuan nga Aleanca për Shqiptarët.

Kryeministri Oliver Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk ka shkruar sot se “më 27 prill të vitit 2017 me qëllim monstruoz dhe dhunë ishte organizuar dhe zbatuar aksion kriminal nga liderët e partisë së atëhershme qeveritare e cila ishin të vendosur të qëndrojnë në pushtet me çdo çmim, pa ndjenja për pasojat e ambicieve të tyre të errëta

“Ndërhyrja dhe tentimi për okupim të Shtëpisë së demokracisë ka qenë agresioni kundër çdo qytetari në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe themeleve të parlamentarizmit. Veprimet e tyre nuk kanë qenë vetëm krimi i organizuar, por tradhti ndaj idealeve dhe parimeve të lirisë dhe demokracisë”, ka shkruar Spasovski.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev po ashtu sot në profilin e tij në Fejsbuk ka përkujtuar për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 me porosinë që të mos harrohen dhe të mos përsëriten ngjarjet e tilla.

“Kaluan tre vite nga e enjtja e përgjakshme – 27 prilli, kur për jetën e tyre në Kuvend luftonin deputetë, gazetarë, të punësuar në Shtëpinë Ligjvënëse. Skenari i krijuar me qëllim që VMRO-DPMNE-ja ta mbajë pushtetin, në të cilin duhej të vriteshin njerëz, të shkaktojnë luftë, ta shkatërrojnë të ardhmen e shtetit. Të mos e harrojmë dhe të mos lejojmë që asnjëherë të përsëritet!”, shkroi Zaevi. Sipas tij, që të mos ndodhë tragjedi më e madhe dhe më e keqja, ka ndihmuar mençuria dhe shkathtësia e shumicës së deputetëve, guximi i individëve që secili prej tyre të përfundojë pa pasoja tragjike.

Në këto ngjarje rinia e këtij vendi, besoi që nuk do të ketë më siguri dhe se ngjarja nuk përfshiu vetëm një parti apo një kategori njerëzish, por shumë.

Kuvend 27 prill
Kuvend, 27 prill

Kryetari i forumit rinor nga Aleanca për Shqiptarët, Omer Ajdini, thotë për Portalb.mk, se dita e sulmit të institucionit më të lartë shtetëror sulmoi kreun e tyre, por jo vetëm atë.

“27 prillin si ngjarje nuk na përket  vetëm neve që jemi në një subjekt politik të përbashkët me Ziadin Selën. 27 prilli është ngjarje me të cilën identifikohen të gjithë shqiptarët në këtë vend sepse me 27 prill nuk u sulmua Ziadin Sela si individ, por u sulmua i votuari i popullit, zëri dhe kërkesat e shqiptarëve në institucionin më të lartë të demokracisë.

E për të rinjtë 27 prilli gjithmonë do të mbetet si përkujtues jovetëm i racizmit rampant e të shfrenuar antishqiptarë në shtetin tonë, por edhe inspirim që si të rinj të qëndrojmë stoik dhe mos të ndalemi së kërkuari të drejtat tona ashtu siç bëri dhe po bën Ziadin Sela. Pra 27 prilli është përkujtues, inspirues dhe tashmë edhe shpresëdhënës për ndryshime pozitive tek ne”, tha për portalb.mk, Omer Ajdini, kryetar i forumit rinor Aleanca Shqiptare.

Prej 11 marsit, kur OBSh-ja shpalli zyrtarisht gjendjen e pandemisë, të gjitha seancat publike, për ngjarjet e 27 prillit, janë shtyrë për të vazhduar në një kohë më të përshtatshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button