Ka vdekur edhe një person nga virusi korona në Kosovë

Gjatë ditës së sotme, edhe një pacient i prekur me koronavirus në Kosovë ka ndërruar jetë, shkruan REL.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi, Arben Vishaj, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Viktima është një 44-vjeçar nga Komuna e Gjilanit.

“Sot në ora 11:30,për fakt të keq një person ka vdekur nga koronavirusi. Pacienti që ka humbur betejën me COVID-19, ka pasur sëmundje shoqëruese paraprakisht. Ky është pacienti i 21 i cili ka vdekur nga koronavirusi”, tha Vishaj.

Vdekjen e pacientit nga Gjilani e ka konfirmuar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në një komunikatë për media thuhet se pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën Infektive më datën 17 mars dhe ishte pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore. I njëjti, bëhet e ditur, se prej vitesh vuante edhe nga sëmundje të tjera.

Infektologu Vishaj, ndërkaq, ka bërë të ditur se aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 60 pacientë me koronavirus, pesë prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe një pacient është i intubuar.

Në mesin e personave të hospitalizuar, tregon Vishaj, janë edhe tre fëmijë, njëri prej tyre 8-muajsh dhe dy të tjerët janë 1 vjeç deri 1 vjeç e gjysmë.

Në Klinikën Infektive po ashtu janë duke u trajtuar edhe dy gra shtatzëna, gjendja e së cilave, sipas Vishajt, është e mirë.

Kosova aktualisht ka konfirmuar 731 raste me koronavirus, ndërsa 165 janë shëruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button