Kryesia e LDK-së e propozoi Avdullah Hotin për kryeministër të Kosovës

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka propozuar Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Vendimi tani pritet të merret nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Hoti, ka qenë zëvendëskryeministër i parë në qeverinë tashmë në detyrë të Kosovës.

Në momentin që edhe Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie ta konfirmojë nominimin e Hotit, atëherë çështja do t’i kalohet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i jap mandatin për formimin e qeverisë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se ishte qëndrim i LDK-së që ai vet të jetë kandidati për kryeministër, por siç tha Mustafa, për arsye shëndetësore nuk ka mundur ta pranojë këtë nominim, transmeton REL.

“Jemi pajtuar të gjithë që Avdullah Hoti të propozohet nga Kryesia e LDK-së për kryeministër në qeverinë të cilën se bashku me subjektet tjera partnere do t’ia prezantojmë Kuvendit në momentin që unë e marrë konfirmimin definitiv nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”, tha Mustafa pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.

Formimi i qeverisë kalon përmes procedurës së votimit në Kuvendin e Kosovës, me të paktën 61 vota për. Qeveria e re, sipas formulës së LDK-së do të ndërtohet mbi bazën e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.

Nisja e procedurës për qeverinë e re, pason votimin në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale të Kosovës më 25 mars, e cila që atëherë po funksionin si qeveri në detyrë.

LDK ka marrë nismën për formimin e qeverisë duke u bazuar në takimin e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, ku përveç Lëvizjes Vetëvendosje e cila ishte në favor të shpalljes së zgjedhjeve pas pandemisë së koronavirusit, subjektet tjera u deklaruan për formimin e qeverisë së re.

Pasi që kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për propozimin e mandatarit për qeverinë e re, presidenti Thaçi i është drejtuar LDK-së e cila kishte shprehur interesimin për formimin e qeverisë.

Presidenti Thaçi ka deklaruar të mërkurën, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike se do t’ia jap mandatin për formimin e qeverisë asaj partie politike që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend.

“Pas mos-dërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër pesë kërkesave nga ana e Presidentit të vendit, si dhe në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së, Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar zyra e presidentit.

Thaçi diskutoi të enjten me ambasadorët e Kuintit për hapat e ndërmarrë për krijimin e qeverisë së re.

Në këtë takim ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë, ambasadorja e Francës, ambasadori i Italisë dhe Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Zyra e Presidentit Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button