Mariçiq: Maqedonia e Veriut do të përfundojë negociatat me BE-në, si një shtet anëtar i saj

(Intervistë ekskluzive me Bojan Mariçiq, Koordinator Kombëtar për Integrimin në BE dhe Kryenegociator teknik)

  • Nga Delvina Kërluku

Qytetarët duhet ta dinë se procesi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe shtetet anëtare të saj, do të jetë i vështirë, por i suksesshëm, dhe vendi ynë do ta përfundojë atë proces si një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, thotë Bojan Mariçiq, Koordinator Kombëtar për Integrimin në BE dhe Kryenegociator teknik, në intervistë ekskluzive për Portalb.mk.

Portalb: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të caktojë seancë ndër-qeveritare, për fillim bashkëbisedimi me BE-në. z. Mariçiq, kur parashikohet të caktohet kjo seancë?

Mariçiq: Vendimi politik për të filluar negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE u mor më 24 mars nga Këshilli i BE-së, dhe u konfirmua 2 ditë më vonë nga Këshilli Evropian. Me këtë, ne dalim nga çështja e pritjes dhe futemi në një fazë të re, ndërsa ajo fazë është  e përgatitjes së kornizës së bisedimeve dhe skriningut bilateral (shqyrtimit dypalësh) për të gjitha grupimet dhe kapitujt. Komisioni Evropian, në koordinim të ngushtë me ne, por edhe me shtetet anëtare, duhet të përgatisë atë Kornizë-negociuese dhe ta hapë atë për diskutim.
Ne presim që të ndodhë më së voni në fillim të qershorit të këtij viti. Kjo do të pasohet me diskutim të kornizës,dhe paralelisht dhe fillimi i skriningut birateral. Kjo është procedurë që në kushte të rregullta, te Serbia dhe Mali i Zi, ka marrë disa muaj para fillimit zyrtar të negociatave të shënuara nga konferenca e parë ndërqeveritare. Pres që, përderisa ecet me planin, do të kemi konferencën e parë ndërqeveritare në vjeshtë ose në fund të vitit 2020. Por, të mos harrojmë se jemi akoma në kulmin e pandemisë së virusit KOVID-19 dhe ndërmarrja me këtë do të diktojë gjithë dinamikën e punës, edhepse shumë gjëra po shkojnë edhe në distancë.

Portalb: Që nga viti 2018 në një konferencë shtypi qeveria e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se po formohet ekip negociues, për fillim bashkëbisedimi me BE-në. Deri ku jemi me formimin e grupit negociues? A ka përfaqësues të komuniteteve jo maqedonase, si shqiptar, etj? A ka përfaqësuse të gjinisë femërore, në këtë ekip?

Mariçiq: Në korrik të vitit 2018, Qeveria emëroi Kryenegociatorin Politik (Zëvendës Kryeministrin për Çështje Evropiane, z. Bujar Osmani) dhe Kryenegociatorin Teknik (Koordinatorin Kombëtar për Integrimin në BE z. Bojan Mariçiq). Kjo ka treguar një qasje serioze drejt përgatitjeve për fillimin e negociatave. Kryenegociatori politik dhe Kryenegociatori teknik në afat kohor prej disa muajsh kanë hartuar kornizë të plotë ligjore për secilin nga 33 kapitujt si dhe ekipin negociator që do të koordinojë këto grupe pune dhe do të lidhë punën e tyre me punën e Qeverisë, Parlamentin, shoqërinë civile në kuptim më të gjerë, por edhe me institucionet evropiane në Bruksel.

Kjo kornizë ligjore u miratua në verën e vitit 2019 nga ana e Qeverisë pas konsultimeve të gjëra të nxjerra me organizatat e shoqërisë civile, komunitetin akademik, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, dhomat e tregtisë dhe të gjitha grupet e interesuara. Pjesa më e madhe e strukturave të ekipeve negociuese përbëhen nga përfaqësues të institucioneve qeveritare sepse barra më e madhe e negociatave bie mbi këto institucione. Këta njerëz sollën edhe përgaditjen të skriningut teknik për 33 kapituj që kaluam në periudhën nga muaji shtator i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019. Sidoqoftë, që nga fillimi, ne si Qeveri kemi shprehur qartë se e gjithë shoqëria duhet të përfshihet në negociata dhe të gjithë ekspertët do të kenë mundësinë të japin një kontribut të duhur në fushën e tyre, duke shfrytëzuar maksimalisht nga të gjitha kapacitetet e shtetit. Gjatë kësaj periudhe, ne do të kompletojmë ekipet, duke i kushtuar vëmendje të plotë përfaqësimit të barabartë të të gjitha bashkësive etnike, si dhe barazisë gjinore. Këto janë vlera evropiane të rrënjosura thellë në politikat dhe institucionet tona, dhe nga kjo ne nuk do të devijojmë. 

Portalb: Çka pritet nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, në nismën e këtyre negociatave me BE-në?

Mariçiq: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon së bashku me Komisionin Evropian për të përpiluar versionin tonë të kornizës së negociatave që pasqyron interesat dhe nevojat tona gjatë negociatave për të gjitha kapitujt. Ajo është praktikisht një plan për atë se në cilën mënyrën dhe në çfarë periudhe kohore do t’i pranojmë dhe zbatojmë rregullat dhe standardet evropiane në të gjitha fushat. Në të njëjtën kohë, ne do të përgatitemi për skriningun bilateral, ku do të kalojmë nëpër të gjitha kapitujt me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së dhe të përcaktojmë cila është shkalla e harmonizimit të sistemit tonë me atë evropian dhe sa kohë, përpjekje dhe investim do të na duhet për një harmonizim të plotë.

Ajo është proces që do të zgjasë me vite, por interesi ynë është që të zgjasë sa më shkurtë të jetë e mundur dhe sa më efikase të jetë e mundur, duke përdorur përvojat e vendeve të tjera që kanë negociuar. Qytetarët duhet ta dinë që ky proces do të jetë i vështirë, por i suksesshëm, dhe vendi ynë do ta përfundojë atë proces si një shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button