Bregu: Tani kemi qarkullim normal të mallrave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, ka deklaruar se, më në fund, janë tejkaluar problemet e shkaktuara si rezultat i vendosjes së masave kufizuese, përfshirë edhe mbylljen e kufijve, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Duke folur për TV Klan Maqedoni nga Sarajeva, Bregu saktësoi se aktualisht nëpër 14 vendkalimet kufitare në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në 18 të tjera me vendet e Bashkimit Evropian, është i mundshëm qarkullimi i mallrave dhe pajisjeve mjekësore. Janë tejkaluar edhe problemet në pikën kufitare të Merdares mes Kosovës e Serbisë, thotë ajo, shkruan MIA.

“Pesë prej gjashtë vendeve të rajonit kanë miratuar dhe po implementohet një dokument i cili u harrua nga komuniteti i Transportit dhe CEFTA dhe që ka të bëjë pikërisht me përcaktimin e asaj që ne e quajtëm si korridor jeshil për lehtësimin e kalimit të mallrave prioritare, kryesisht të pajisjeve mjekësore dhe të mallrave që janë të domosdoshëm për qytetarët, pra ushqimet”, tha kreu i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, duke vlerësuar se tani kemi një qarkullim normal të mallrave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Pikat kufitare funksionojnë dhe maksimumi i pritjes është deri në dy orë”, tha tutje Bregu.

Duke folur për mbështetjen ndërkombëtare të ekonomive të rajonit për shkak të dëmeve nga pandemia e Kovid-19, Bregu vlerësoi se përkundër disa dallimeve në Bruksel, Ballkani Perëndimor nuk është në gjendje që vet të përballojë dëme kaq të mëdha të shkaktuara nga kjo pandemi:

“Ne nuk mund të themi sot që Bashkimi Evropian është aktor dhe kontribuues i parëndësishëm në skemën e ndihmës për t’u përballur me situatën e pandemisë nëpër të cilën po kalojmë sot. BE-ja ka aktivizuar rreth 410 milion euro për mbështetje bilaterale, pra ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit tone”, tha Bregu duke shtuar se krahas kësaj janë akorduar edhe 290 milionë euro të tjera për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat do të përdoren për rimëkëmbje social-ekonomike:

“Një lajm shumë i mirë ka qenë përfshirja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Fondin e Solidaritetit me arsyetimin se tashmë kanë nisur procesin e çeljes së negociatave. Pra, së bashku me të gjitha vendet anëtare të BE-së, plus me katër vendet e Ballkanit Perëndimor, është një fond prej 800 milion euro dhe janë kosto të cilat do të përdoren për pajisjet mjekësore dhe për politika të tjera të cilat kryesisht shkojnë në fushën e mjekësisë”, tha kreu i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, duke nënvizuar se pandemia ka për të ndikuar edhe në rishikimin e rritjes ekonomike nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button