Korona i bllokoi përpjekjet për të pastruar lindanin toksike nga OHIS-i

Pandemia e koronavirusit e bllokoi tenderin për të përzgjedhur kompaninë që do të duhet të pastrojë depon e vogël me lindan në oborrin e OHIS-it. Përzgjedhja e një nga pesë kompanitë që janë paraqitur duhej të përfundonte deri në fund të muajit të kaluar, por ngjarjet aktuale dhe mbyllja e kufijve e ndërprenë fazën përfundimtare të vlerësimit. Komisioni, gjatë periudhës së kaluar, është takuar në selinë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) në Vjenë dhe sipas informacioneve nga Ministria e mjedisit jetësor, vlerësimi teknik i ofertave ka përfunduar. Mbetet për t’u bërë vlerësimi financiar dhe për këtë arsye përzgjedhja e ofertës më të mirë nuk mund të përmbyllet, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me përzgjedhjen e ofertuesit më të mirë për pastrimin e lindanit nga OHIS-i, vlerësimi teknik i ofertave ka përfunduar. Vlerësimi financiar nuk ka filluar për shkak të situatës me pandeminë Kovid-19. Procedura do të shtyhet për t’iu përshtatur kushteve të reja”, thonë në Ministrinë e mjedisit jetësor.

Vonesat në përzgjedhjen e kompanisë e shtyn edhe fillimin e pastrimit të mbetjeve të rrezikshme nga e kaluara. Pastrimi vetëm i deponisë së vogël me lindan në zonën e OHIS-it supozohet se do të zgjat mes 15 deri në 18 muaj, ndërsa projekti ka afat deri në fund të vitit 2021, kur edhe duhet të përfundojë. Pranë deponisë së vogël ndodhet edhe një e madhe, për të cilën sapo do të kërkohet mënyra për ta pastruar, ndërsa besohet se të dy deponitë përmbajnë rreth 55,000 ton mbetje në formë të pluhurit dhe pastës nga prodhimi i dikurshëm i lindanit.

Rreziku që vjen nga oborri dhe ndërtesat e ish-gjigantit kimik OHIS është i madh, thotë profesori Trajçe Stafilov. Ai thekson se në projektin e financuar nga Fondi global ekologjik  Kombeve të Bashkuara përmes UNIDO dhe Zyrës së POPs në Ministri, janë bërë shumë kërkime për ndotjen e tokës, ujërave nëntokësore, ajrit dhe ushqimit, të cilat kanë përfunduar një vit e gjysmë më parë.

“Pasojat nga ndikimi i OHIS-it janë të njohura, ndërsa pastrimi i helmeve duhet të fillojë sa më shpejt që është e mundur. Sepse, edhe pasi të jenë hequr të gjitha mbetjet kimike nga puna e fabrikës ajo hapësirë ​​do të mbetet e kontaminuar. Do të vijnë vitet kur do të duhet të punojmë në hulumtimin e kontaminimit dhe dekontaminimit të tokës, ujërave nëntokësorë. Sipas mendimit tim, problemi më i madh janë ujërat e ndotura nëntokësore. Ekzistojnë zgjidhje për të nxjerrë me pompa e pastaj të trajtohen, por për atë punë do të duhet shumë kohë dhe shumë financa. Kush e di sa helme ka dhe ku janë shtresuar dhe ku janë shpërndarë. Reparti i elektrolizës ka kontribuar për ndotjen ashtu edhe me zhivë (merkur), ndërsa nuk i dimë se cilat janë objektet e tjera dhe sa janë të kontaminuara. Ekzistojnë sugjerime nga ekspertë të cilët kanë punuar në situatën e OHIS-it se ekzistojnë më shumë variante për mbrojtje që mund të nënkuptojnë rrënimin e plotë të të gjitha ndërtesave. Ato janë shumë projekte që kushtojnë shumë para. Siç e shohim tenderët bllokohen, projektet shtyhen, ndërsa banorët e Shkupit me dekada vuajnë nga pasojat e ndotjes”, ka theksuar Stafilov.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button