Kosovë, me 2 raste të reja të raportuara, numri i të infektuarve me koronavirus rritet në 108.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se janë diagnostikuar pozitivë me koronavirusin e ri (COVID-19) edhe dy raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Kosovë në 108, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bën të ditur IKSHPK, nga 8 shkurti i këtij viti në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 1.175 mostra të dyshimta me COVID-19, ndërsa nga to gjithsej 108 prej tyre kanë rezultuar pozitive.
“Sot në mëngjes përfundoi testimi i 24 pacientëve të dyshimtë nga Klinika Infektive, 2 prej të cilëve rezultuan pozitivë. Pacienti nga Gjakova është kontakt i dy familjarëve të rezultuar pozitivë dhe pacienti i dytë pozitiv nga Prizreni është infektuar jashtë shtetit”, njofton IKSHPK.
IKSHPK tutje ka bërë të ditur se do të hulumtohen të gjitha kontaktet e të infektuarve, ku deri më tani “janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.265 kontakte të rasteve”.
Ne Kosovë që nga rasti i parë i diagnostikuar me koronavirus, më 13 mars, deri sot një person ka vdekur dhe një është shëruar.