Faton Islami: Shëndeti mental po aq i rëndësishëm sa ai fizik, andaj humori është i nevojshëm (VIDEO)

Edhe në qoftë se një person i ka të gjitha kushtet për një rehati në shtëpi gjatë karantinës, në qoftë se i mungon buzëqeshja atëherë gjithçka është e kot, kështu u shpreh Faton Islami, i cili përmes komedisë po kontribuon pozitivisht në shëndetin mental të njerëzve ndërsa nuk e ka në plan të ndalet, të paktën deri në përfundimin e kësaj pandemie, njofton Portalb.mk.

Sipas Fatonit, buzëqeshja askujt deri sot nuk i ka bërë dëm e pikërisht për këtë, ai tha se komedia të cilën ai e bën sadopak ndihmon në zbutjen e energjisë negative të krijuar ditëve të fundit me virusin korona.

“Komedia në kohëra krize është jashtëzakonisht e nevojshme, mendoj se kjo e fundit as nuk e ndalon zgjidhjen e problemit e as nuk i pengon askujt. Përkundrazi, sado që ti kemi të gjitha kushtet dhe të jemi rehat në shtëpi, gjithsesi që një situatë e tillë nuk është lehtësisht e përballueshme në aspektin psikik. E për këtë, ekziston komedia, që të thyeje monotoninë dhe të i bëj njerëzit të buzëqeshin, sepse pak buzëqeshje nuk i bën dëm askujt” theksoi Faton Islami.

Fatonin zakonisht jemi mësuar ta shohim në teren duke incizuar video, kësaj radhe ai detyrohet të qëndroje në shtëpi. Pikërisht për këtë, ai na tregoi se si e përballon ndryshimin e rutinës ditore, të cilën ai e quajti si koha më e mirë për të qenë produktiv.

“Rutina ditore normalisht që më ka ndryshuar për shkak të pandemisë korona dhe sidomos masave mbrojtëse, një prej tyre që është më e rënda, karantina. Në qoftë se para kësaj shkoja në ligjërata, tani më të njëjtat i ndjekim online, gjë që për një student të grafik dizajnit nuk është edhe aq e preferuar. Më herët videot i krijonim me ekipe njerëzish, kurse tani e gjithë puna më ka ngelë ta bëj vet për shkak se nuk mund të grumbullohemi” tha Faton Islami

Fatoni tashmë është testuar për virusin korona dhe ka rezultuar negativ e për këtë ai tha se ndjehet i mbrojtur dhe nuk ka frikë mirëpo në maksimum mundohet të i përmbahet masave qeveritare për parandalimin e virusit korona.

Ai tha se deri në përfundimin e kësaj pandemie do të vazhdoj të incizoj video të tilla, me qëllimin e vetëm që sadopak edhe ai të kontribuoj pozitivisht në këtë situatë kaq stresuese për të gjithë. Fatoni këtë periudhë e sheh si koha ma e mirë për të reflektuar dhe për të qenë produktiv, ai madje bën thirrje deri te të gjithë artistët që të shfrytëzojnë kreativitetin e tyre dhe të kontribuojnë pozitivisht për këtë situatë.

Ndryshe, përveç humorit të cilin e ofron Faton Islami, i njohur si Phatooni, disa të rinj në rrjetet sociale kohën e kalojnë përmes aktiviteteve kreative, edhe atë duke i sugjeruar libra njëri tjetrit, përmes koncerteve në rrjetet sociale si dhe humorit përmes faqeve të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button