Ndotësit në Shkup punojnë turbo, kurse inspektorët për shkak të koronavirusit deri në ora 16.30

Inspekcionet nuk kanë njohuri se çka është shkaku i ndotjes së lartë të ajrit në Shkup që dje u mat gjatë orëve të natës. Nga Inspektorati për mjedis jetësor, në kompetencën e të cilit janë kontrollet mbi kapacitetet e mëdha industriale në qytet, me A licenca të integruara, thonë që kryejnë kontrolle të rregullta sipas planit për muajin mars, edhe pse kanë orar të shkurtuar të punës për shkak të epidemisë me koronavirusin, transmeton Meta, përcjell Portalb.mk.

“Të gjithë subjektet që janë nën kompetencën tonë, të cilët i kontrollojmë rregullisht, gjatë muajit kanë ndotur në suazat e përcaktuara me ligj, nuk ka pasur tejkalime nga cili do prej tyre”, thotë Hysni Thaçi nga ISHMJ.

Inspektorati shtetëror nuk mund të thotë cili është apo cilët janë shkaktarë të ndotjes së ajrit dje, në kushte të temperaturave të ulëta dhe shirave më shumë orë ka arritur mbi 100 mikrogramë metër PM 10 grimca.

“Punojmë deri në ora 16.30, me vëllim të zvogëluar të punës për shkak të koronavirusit, e pastaj kemi kujdestari pasive”, thotë Thaçi, i cili shton që nuk është konstatuar se shkaktarët janë ndotësit e mëdhenj dhe që për shembull në Aerodrom dhe Lisiçe, ku janë regjistruar vlera më të larta të PM 10 grimcave as që ka kapacitete të mëdha industriale.

“Jemi me kuadër të reduktuar për shkak se pjesë e inspektorëve janë në shtëpi për arsye se shkollat nuk punojnë ndaj duhet t’i ruajnë fëmijët, kurse vështirësi është edhe ajo që ende nuk e kemi marrë lejen që ekipet tona të punojnë edhe pas fillimit të orës policore, pas orës 21”, thotë Mirosllav Bogdanovski, udhëheqës i shërbimeve inspektuese të Qytetit të Shkupit.

As Bogdanovski nuk ishte në gjendje të jep përgjigje konkrete për atë kush dje ka qenë ndotës apo ndotësit, mirëpo paralajmëroi kontrolle të përforcuara në periudhën e ardhshme.

“Sapo të marrim lejen, do të vazhdojmë edhe me turnet e natës dhe me inspektimet e jashtëzakonshme në orët e natës”, thotë ai.

Qytetarët natën e kaluar dhe sot paradite kanë alarmuar për vlera të zmadhuara të PM 10 grimca e në më shumë pika të matjes në Shkup, me ç’rast në Qendër dhe në Lisiçe ato kanë arritur edhe deri 120 mg/m3. Partia RDM ka kërkuar nga organet kompetente t’i verifikojnë shkaqet për ndotjen e ajrit në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button