Simpatizantët në kor kundër dorëheqjes së liderit demokrat (FOTO)

Qindra militantë të Partisë Demokratike ishin mbledhur dje përpara selisë blu për të dëgjuar fjalimin e kryetarit Berisha, por kurrsesi nuk e kishin menduar se ai do të ishte i fundit fjalim si lideri i kësaj partie që e themeloi 23 vjet më parë.

  Rreth orës 18:00 të rinjtë e Forumit Rinor mbushën sheshin përpara PD-së për të pritur Kryeministrin pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Një orë më vonë nisën të vijnë edhe deputetët e ministrat demokratë, të cilët deri dje ishin në rrethe, por entuziazmi më i madh ishte për Lulzim Bashën dhe Flamur Nokën. Përpara se të vinte Kryeministri Berisha, shkallët e PD-së i ngjiti edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila teksa kalonte para simpatizantëve demokratë, nuk i kurseu lotët.

  E bashkë me të edhe zëdhënëset Mëhilli e Bardhi. Konferenca e djeshme e shtypit ishte nga të paktat kur kreu i qeverisë iu përmbajt plotësisht fjalimit të shkruar më parë. 
]Berisha erdhi në PD në orën 20:02 dhe menjëherë iu drejtua podiumit të konferencës. Fjalët e largimit nga PD-ja ishin radhitur në faqen e tretë të fjalimit. “Kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike”, ishin rreshtat e parë të asaj faqeje, fjalë të cilat u pasuan në korr me një thirrje “Jo” të simpatizantëve demokratë, të cilët kishin mundur të ngjiteshin deri në katin e dytë të selisë. Të paktë ishin ata që u përmbajtën në ato momente. Simpatizantët, bashkëpunëtorët, por edhe truprojat duket se u gjendën të papërgatitur nga ato fjalë që po dëgjonin dhe u përlotën. 

Pasi lexoi nëntë faqet e fjalimit, Berisha i përshëndeti me dorë të gjithë ata që ishin të pranishëm në atë sallë dhe u ngjit menjëherë në zyrën e tij në katin e tretë. Pas tij edhe zyrtarët më të lartë demokratë. Megjithatë, kreu në detyrë i PD-së i kërkoi sekretares që të thërriste vetëm disa prej tyre, Bashën, Topallin, Boden dhe Eduard Selamin. 

Njëri prej bashkëpunëtorëve të afërt e pyeti Kryeministrin nëse ishte ngutur me vendimin që kishte marrë, por përgjigjja e tij ishte e prerë: “Kjo është në të mirë të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë”. Në zyrë qëndroi pak më shumë se 30 minuta dhe më pas doli nga selia, ku për të shkuar deri te makina nuk ishte një rrugë e lehtë për shkak të numrit të madh të simpatizantëve që prisnin për ta takuar. Këtë herë ishte takimi i fundit si kryetar në detyrë i partisë që e udhëhoqi nga dhjetori 1990 deri tani, shkruan Panorama.

Lajme të ngjashme

Back to top button