Gjermani, Bavaria shqyrton shpalljen e orës policore nga koronavirusi

Shteti juglindor i Gjermanisë, Bavaria, ka paralajmëruar qytetarët se mund të zbatohet orë policore në ditët në vijim, nëse masat aktuale për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit nuk ndiqen nga të gjithë, shkruan Anadolu Agency, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri i Bavarisë, Markus Soeder, ka kritikuar qytetarët që injorojnë paralajmërimet për të mos u shoqëruar dhe që kanë vazhduar me festa dhe tubime përkundër shqetësimeve për përhapjen e sëmundjes së koronavirusit.

“Nëse shumë njerëz nuk do të kufizonin vullnetarisht kontaktet e tyre sociale, atëherë i vetmi instrument i mbetur do të ishte shpallja e një ore policore mbarëkombëtare në Bavari. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”, tha ai në një fjalim televiziv në parlamentin e shtetit bavarez në Mynih.

Vërejtjet e tij erdhën pas raportimeve se policia duhej të shpërndante disa të ashtuquajtura “korona-festa” në disa qytete ku morën pjesë qindra të rinj.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbrëmë iu drejtua qytetarëve duke thënë se vendi po përballet me “sfidën më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore” për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe u bëri thirrje atyre që të ndiqnin masat për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Qeveria nga e hëna njoftoi se të gjitha dyqanet, kafenetë dhe vendet sportive në të gjithë vendin do të mbyllen për të penguar përhapjen e koronavirusit, i njohur gjithashtu si Covid-19.

Gjermania është vendi i tretë i prekur nga koronavirusi në Evropë, pas Italisë dhe Spanjës.

Deri më sot, numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në vend u rrit në 13.097.

Sipas deklaratave të autoriteteve lokale shëndetësore, numri i rasteve të vdekjes nga koronavirusi ka arritur në 31.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur Evropën epiqendër të re të virusit, pasi fillimisht shpalli qytetin kinez Wuhan, ku për herë të parë u shfaq koronavirusi dhjetorin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button