Thaçi: Plani i Serbisë nuk do të zbatohet kurrë

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka thënë të mërkurën se plani i Serbisë është një plan antievropian dhe nuk do të implementohet kurrë.

Ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se këtë plan e kanë diskutuar edhe me shtetet e fuqishme, por do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Serbisë.

Sipas tij, platforma e Serbisë për Kosovën nuk është diçka e re, por është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën dhe është një plan që e kthen prapa Serbinë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kreu i Qeverisë tha se ajo platformë e Serbisë për Kosovën, nuk i kontribuon stabilitetit në rajon dhe nuk është diçka e re, por është pjesë e projekteve të vazhdueshme të Serbisë, duke filluar nga Garashanini, për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe nga viset tjera shqiptare.

“Edhe ky plan i ri sot në Beograd, nuk është diçka e re, sepse Nikolic ka qenë pjesë e aparatit gjenocidal të Milosevicit. Dua të theksojmë sot se ky projekt, i Nikolicit, është i parealizueshëm në territorin e Kosovës. Ai është vazhdimësi e planeve të vjetra të Beogradit në raport me Kosovën, është një plan që kthen prapa Serbinë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, është një plan që në asnjë rrethanë nuk do të mund të implementohet”, u shpreh Thaçi, transmeton RTK.

Nga ana tjetër, kryeministri Thaçi shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kosova do të sillet konform standardeve evropiane, konform zotimit, qëllimit dhe vizionit tonë evropian, për Kosovën e re, evropiane. Përgjigja e Kosovës është shumë e qartë, shteti i Kosovës do ta respektojë Kushtetutën e vetë, ligjet e veta dhe dokumentin e Ahtisarit. Do të punojmë për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës për të pasur njohje edhe më të zgjeruara për vendin, integrim në institucionet ndërkombëtare dhe në NATO dhe BE”, tha Thaçi.

Ai shprehu gatishmërinë që të vazhdohet me procesin e dialogimit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të agjendës së udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe, e ashtuquajtura platforma e Serbisë për Kosovën, siç raportojnë mediat, parasheh status special për veriun e Kosovës, përkatësisht një lloj entiteti të ri, siç është Republika Serbe e Bosnjës. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button