Vitia përballet me mungesë të mjeteve mbrojtëse

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se komuna e tij është duke u përballur me vështirësi, për shkak të mungesës së kapaciteteve për të përballuar gjendjen e karantinës së tërësishme të qytetit.

Vitia është futur në karantinë më 13 mars, pas konfirmimit të rasteve të para atje me koronavirus.

Aktualisht, në këtë komunë të Kosovës janë shtatë të infektuar me koronavirus.

Haliti tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët kanë nevojë për maska, rroba profesionale dhe mjete të tjera mbrojtëse nga rreziku i shpërndarjes së virusit, transmeton REL.

Ai tha se shtimi i numrit të të infektuarave në komunën që ai drejton, ka ngjallur nevojën për intervenim më të shpejtë të nivelit qendror, për t’iu ofruar ndihmë qytetarëve të izoluar.

“Neve na nevojiten edhe kapacitete profesionalo-teknike; do të thotë, neve na nevojiten shtretër, na nevojitën autoambulanca, pra na nevojitet shtimi i komponentit shëndetësor, por mbi të gjitha na nevojitet furnizimi me pajisje, me rroba mbrojtëse, me barna esenciale, me medikamente të tjera. Na nevojiten maska dhe dorëza”, tha Haliti.

Sipas kryetarit të Vitisë, kjo komunë nuk mund ta përballojë gjatë situatën e karantinës së tërësishme të qytetit, pasi, siç tha ai, qytetarët kanë nevojë për furnizime edhe me ushqim dhe rezervat mund të shpenzohen shpejt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button