Kurti kërkoi falje për shkak të mos’heqjes së taksës dhe mosrespektimit të rekomandimit për mbrojtje nga koronavirusi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u kërkoi falje qytetarëve pasi Qeveria nuk e hoqi sot, siç u paralajmërua paraprakisht, taksën prej 100 përqind të eksportit të mallërave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Në publikimin e tij në fejsbuk, i quajtur “Dy kërkimfalje”, Kurti kërkoi falje edhe që nuk e ka respektuar rekomandimin për mbajtjen e distancës fizike prej mbi një metër me njerëzit, për shkak të mbrojtjes nga koronavirusi.

Kryeministri i Kosovës thotë se masa për heqjen e pjesërishme të taksës për mallrat serbe, në këtë moment është e pazbatueshme, pasi qëndrimi i tij i parashtruar më 26 shkurt, nuk u bë vendim i Qeverisë.

“Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprotetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”, thotë Kurti.

Lidhur me rekomandimin për mbajtjen e distancës me njerëz tjerë, Kurti thotë se atë nuk ka mundur ta respektojë në seancën e djeshme të Kuvendit, ku debatoi për buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

“Në seancën e djeshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk u respektuan urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Korona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020, të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje”, ka shkruar Kurti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button