Koronavirusi, Merkel dhe Vuçiç me “video-takim” të hënën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, të hënën do të realizojnë “video-takim” në vend të takimit kokë më kokë në Berlin pasi frika nga koronavirusi po përhapet në të gjithë botën, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert tha se takimi më parë ishte planifikuar të mbahet në Berlin gjatë një vizite të presidentit serb.

“Por, me marrëveshje të të dy udhëheqësve, takimi do të mbahet në një thirrje me ‘video konferencë’ dhe do të realizohet të hënën pasdite”, tha Seibert.

Ai njoftoi se Merkel do të realizojë takim të enjten edhe me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, po ashtu në një “video-thirrje”.

Javën e kaluar u konfirmua se edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë për një vizitë në Berlin disa ditë pas vizitës së planifikuar të presidentit serb, por deri më tani nuk janë zbuluar detaje nëse do të realizohet ose jo vizita e kryeministrit kosovar në Berlin.

Merkel pritej që javën e ardhshme të vizitojë Turqinë për të takuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, por Seibert tha se vizita e saj ende nuk është planifikuar.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në të paktën 123 vende dhe territore të botës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila shpalli shpërthimin një pandemi, numri global i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur pothuajse 5.000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button