Kosova do të mbyllë shkollat, masa për koronavirusin, edhe pse nuk ka asnjë rast deri tani

Institucionet e Kosovës kanë filluar me masa konkrete për t’u mbrojtur nga koronavirusi (COVID-19), një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi një vendim me 11-të pika për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas vendimit të Qeverisë, që shkollat e të gjitha niveleve, publike dhe private të mbyllen deri më datë 27 mars, institucionet e sigurisë kanë ndërmarrë hapa që një gjë e tillë të vihet në zbatim të plotë.

Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës, ministri i kësaj ministrie Agim Veliu është takuar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn të cilit i ka kërkuar të ndërmarrë veprime për mbrojtje nga koronavirusi.

Ministri Veliu ka kërkuar nga Qalaj që në veçanti “të gjitha shkollat që veprojnë në veri të Kosovës dhe që punojnë me plan-programe të Serbisë të mbyllen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës”, deri më datë 27 mars.

“Në këtë takim është konstatuar që tashmë janë bërë të gjitha veprimet e duhura dhe tashmë të gjitha ato shkolla janë të mbyllura dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, deri në vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij vendimi të Qeverisë, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) që ndodhet në Vushtrri, është marrë vendim që të ndërpritet procesi edukativo-arsimor i kadetëve të Policisë së Kosovës dhe studentëve të Fakultetit të Sigurisë Publike por edhe të gjitha aktivitetet në këtë Akademi.

Në anën tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), duke u kërkuar falje familjarëve të të burgosurve në Kosovë, i ka ndërprerë të gjitha “vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit”, deri më datën 27 mars.

Gjatë kësaj periudhe SHKK do të ndërmerr masa që të burgosurve t’u mundësohet komunikimi virutal përmes aplikacionit “Skype”, i cili tashmë është instaluar nëpër shumicën prej qendrave korrektuese.

SHKK ka ndalur edhe transferet e të burgosurve nëpër burgje, reduktimin e transportit në gjykata dhe prokurori, kontrollin e vazhdueshëm të stafit dhe të të burgosurve, furnizimin me mjete higjienike si dhe me ujë të nxehtë 24 orë brenda burgjeve.

Gjithashtu për t’u mbrojtur nga përhapja eventuale e virusit të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur pandemi, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), njoftoi se “të gjitha ndeshjet e futbollit në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri m ë 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”.

“Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave”, thuhet në njoftim.

Përpos vendosjes së dezinfektuesve të duarve nëpër zhveshtore të skuadrave, FFK ashtu sikurse në vendet e tjera rekomandon që “futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”.

Dje, Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente mori një vendim me 11 pika që përfshijnë masa parandaluese të përhapjes së virusit vdekjeprurës Covid-19 në Kosovë, pasi OBSH-ja shpalli situatë pandemie. Të martën ajo gjithashtu, miratoi një “Plan për gatishmëri dhe reagim kundër koronavirusit”, me kosto prej 10 milionë eurove.

Në Kosovë, deri më tani nga dhjetëra pacientë të kontrolluar në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), nuk ka rezultuar asnjë me koronavirus (Covid-19).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button