Kosova pa koronavirus, por me masa të shtuara kujdesi

Për dallim nga shumë vende tjera të prekura me koronavirusin e ri, në Kosovë ende nuk ka ndonjë masë ndalese.

Institucionet arsimore funksionojnë si edhe më parë, kurse nuk ka ndonjë ndalesë për tubime e masa tjera, që tashmë disa vende i kanë ndërmarrë, në përpjekje të parandalimit të përhapjes së virusit, transmeton REL.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës ditën e martë e ka miratuar planin për reagim lidhur me koronavirusin e ri, ku përfshihet një buxhet prej 10 milionë eurosh, i cili thuhet se do të jetë i mjaftueshëm për t’i pajisur të gjitha institucionet shëndetësore, emergjencat si dhe për adaptimin e objekteve për të trajtuar rastet që mund të paraqiten. Ky plan, fillimisht është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe më pas është dakorduar edhe nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë.

Arben Vitija, ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës , tha se plani parasheh mbulimin financiar të aktiviteteve të planit të gatishmërisë dhe të reagimit kundër sëmundjes Covid -19, që shkaktohet nga koronavirusi.

“Ky plan i përcakton përgjegjësitë e secilit institucion, ku ndër të tjera do të ketë pajisje për profesionistët shëndetësorë, furnizimin me terapi, pajisjen e karantinave me infrastrukturën e nevojshme, materialet informative për qytetarët, pajisjet laboratorike, krijimin e hapësirave izoluese, ekipet e reagimit të shpejtë dhe dhomat e veçanta”, ka sqaruar ai.

Infektologu Valbon Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë, se janë të furnizuar me pajisje për mbrojtje personale, pajisje të cilat nëse nuk ka fluks të madh të pacientëve, sipas tij, ka mjaftueshëm edhe për dy javë. Ai flet edhe për kushtet në Klinikën Infektive në rast të paraqitjes së rasteve me koronavirus.

“Infrastruktura në klinikë është e mirë dhe kemi shtretër të mjaftueshëm. Secila dhomë e ka nyjën sanitare të veten dhe paradhomat me ujë për pastrim dhe dezinfektim të duarve. Ka kohë që e kemi dedikuar dhomën e triazhimit ku infektologët ekzaminojnë pacientët. Gjithashtu nëse dyshohen për koronavirusin e ri, janë dhomat e posaçme ku ata shtrihen. Janë 140 shtretër gjithsej në klinikë, ku kapaciteti me respiratorë është gjashtë shtretër. Por, janë edhe 40 shtretër me oksigjen qendror”, tha Krasniqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button