“Monstra”, i punësuari në MPB: Kam pasur informata se gjatë festës së Pashkëve do të pësojnë njerëz të pafajshëm

Zoran Trajkovski, i punësuar në MPB, sot dëshmoi në gjykimin për rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

Ai theksoi se nga të akuzuarit e njeh vetëm Haki Azirin edhe atë na paraburgimi, për shkak se edhe ai vet ka qenë i akuzuar, por në rastin “Rover”, për çka para pak kohe ka fituar aktgjykim për lirim.

Dëshmitari sqaroi që nga viti 1992 është i punësuar në MPB, kurse kur ndodhi vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës më 12 prill 2012, ka qenë polic kujdestar në stacionin policor Draçevë. Vrasja ka ndodhur ditën e enjte, kurse ai të shtunën ose të dielën ka qenë në vendin e ngjarjes, i angazhuar për sigurim të vendit.

Këtë dëshmitar e ka thirrur prokuroria për shkak se paraprakisht janë publikuar bisedat e tij të përgjuara në mënyrë të paligjshme me persona tjerë në të cilët tregon që para vrasjes së pesëfishtë ka pasur informata që rreth ditëve të Pashkëve do të ndodh incident.

Në pyetjen e prokurorit Gavrill Bubevski, nëse ka pasur informata për ngjarjen që ka pasuar, përkatësisht për vrasjen e pesëfishtë, ai tha “Po”.

– Disa muaj para ngjarjes, kam pranuar të dhëna se në rajonin e Likovës sërish janë shfaqur formacione të uniformuara paraushtarake. Ata paraprakisht e kanë pasur shenjën e UÇK-së, ndërsa tani e kishin pasur shenjën Ilirida. Kontaktova me Nikolla Spasovskin, kryeshefi i atëhershëm në SPB Shkup dhe me Sinisha Aleksovski, ka thënë dëshmitari.

Ai sqaroi që me Aleksovskin kanë qenë edhe deri në Kumanovë.

– Me Sinishan ishim në Kumanovë, më mori me veturë zyrtare. Biseduam, Sinisha deshi t’i sheh formacionet paraushtarake, por hoqi dorë dhe u kthyem. Shkaqet, pse, si, nuk i di. Ai vendoste. Para ngjarjes u takova me Sasho Mijallkov dhe Ljupço Todorovski, por nuk e di për çfarë arsye nuk më thirrën. U dëgjova me deputetin Vasill Pishev dhe ia përcolla atë që e dija dhe më kujtohet se tha që do të më paraqitet. Më kaloi deputetin Vele Gjeorgjievski në lidhje, i cili ka qenë i afërt kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski dhe duhej t’ia përcjellë. U shtang dhe tha që e kishte patjetër të përcjellë (informacionin). Më lidhi edhe me ndonjë funksionar nga zbulimi ushtarak dhe se do të më merrte me veturë për të biseduar, tha dëshmitari.

Ai tha që aty i kishte ndarë informatat e tij.

– Shkuam në hapësirat e zbulimit ushtarak. Biseda incizohej. Më thane që mund të flas lirshëm për gjithçka, për gjendjen e sigurisë, për Mijallkov, për Radnikun… Të nesërmen më thirri komandanti im dhe më pyeti ku kam qenë. I tregova dhe ai kërkoi të shkruaj shënim zyrtar. Krahas shënimit zyrtar, kam shkruar edhe informatë operative, ka thënë dëshmitari

Ai tha që pas takimit me zbulimin ushtarak, është takuar edhe me gazetarin Nikolla Mlladenov, pronar i javores “Fokus”.

– Meqë kam pasur marrëdhënie të afërta miqësore me Nikolla Mlladenovin, pronari i “Fokus”, u takuam në një restorant. Në fund të takimit erdhi gazetari Branko Gerovski dhe me sugjerim të tij më caktuan takim me gazetarin Vllatko Stojanovski. Në atë takim e informova gazetarin që duhej të publikojë tekst, për formacionet paraushtarake. Në kafenenë pashë një djalë dhe një vajzë, për të cilën e morra vesh që janë të shërbimit për përcjellje. Nga PSP-ja më pas më treguan që më kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme në katër numra, e në njërin madje 635 ditë, ka thënë Trajkovski.

Ai e theksoi që nga dy burime ka pranuar informatë që rreth festës së Pashkëve do të ndodh edhe incident në të cilin do të pësojnë njerëz të pafajshëm.

-Më është thënë që do të sulmohet patrullë policore ose njerëz të pafajshëm. Këtë e tregova edhe në zbulimin ushtarak edhe deputetëve. Nuk i tregova burimet, por në asnjë moment nuk përmendej Liqeni i Smilkovës, ka thënë dëshmitari.

Ai sqaroi se pas këtij rasti ka qenë i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e Marijan Tushevskit dhe Kiro Janevit, në rastin “Rover”.

– Disa ditë pas ngjarjes, kah mesi i prillit, më thirri zëvendësi i komandantit Asani. Kur shkova në bazë, kishte dy kolegë të cilët i takova për herë të pare dhe më thanë të bëjmë një shëtitje për shkak se kisha kërkuar takim me drejtorët. Më thanë ta lë revolen dhe emblemën në kasafortën e komandantit, tha dëshmitari.

Atëherë, siç tha dëshmitari, e kanë futur në automjet dhe e kanë dërguar në MPB.

– Hymë në zyrën e Drejtorisë së Pestë. U futëm në ora 8.40, ndërsa më lëshuan në ora 19.20, përkatësisht më kanë mbajtur pothuaj 12 orë. Me përgjegjësi deklaroj që së paku gjashtë orë më kanë pyetur për “Monstra”, kurse pjesën tjetër të kohës për vrasjen e Marijan Tushevskit dhe Kiro Janevit. Supozoj që donin të shohin gjithçka që di për rastin “Monstra”. Dilnin dhe hynin me pyetje në fletë. Më pyesnin përse kisha qenë në zyrën e zbulimit ushtarak dhe përse i kam anashkaluar eprorët. U thashë që kam kërkuar takim, por nuk më kanë thirrur, ka thënë dëshmitari.

Pastaj është marrë në pyetje në prokurori, mirëpo e kanë pyetur vetëm për rastin “Rover”, kurse pas një muaji edhe e kanë arrestuar.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button