Një person i diagnostikuar me Covid-19 mund të infektojë në moment 4 persona

Anëtari i Komitetit Kombëtar të Gripit në Iran, Masoud Mardani tha se koronavirusi i ri (Covid-19) deri me 20 mars mund të përhapet në 40 për qind të njerëzve që jetojnë në Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mardani i cili në të njëjtën kohë është edhe ekspert i sëmundjeve infektive, në një deklaratë për gazetën “Iran” që është organi publikues zyrtar i qeverisë, tha se Covid-19 po përhapet me shpejtësi.

“Një person i diagnostikuar me Covid-19 mund të infektojë në moment 4 persona. Deri më 20 mars parashikoj që 30 deri në 40 për qind e popullatës në Teheran të infektohet nga koronavirusi”, tha Mardani.

Ai ka njoftuar se 80 për qind e rasteve të koronavirusit nuk shfaqin simptoma dhe se simptomat shfaqen tek shumë pak persona të prekur me këtë virus. Mardani tha se “disa prej të prekurve nga koronavirusi mund të shërohen nga 3 deri në 5 ditë pa shfaqur simptoma klinike”.

Anëtari i Qendrës për luftimin e koronavirusit në Iran, Hamid Suri tha se rastet e koronavirusit do të vazhdojnë deri në fund të muajit mars dhe më pas do të përfundojnë nëse vazhdohen në të njëjtën mënyrë punimet në kuadër të luftës kundër virusit.

Në një deklaratë në televizionin shtetëror, Suri tha se “Faktori më i rëndësishëm për të vendosur nën kontroll epideminë është zbatimi i rregullave shëndetësore. Duhet të qëndrohet larg kontakteve dhe kryesisht kontakteve të afërta. Populli duhet të qëndrojë larg eventeve të tilla si dasma, pritje ngushëllimesh dhe drekave e darkave masive”.

Suri ka refuzuar mundësinë e infektimit të 40 për qind të Teheranit duke shtuar se “Epidemia po zvogëlohet dalëngadalë. Nëse nuk merren hapa efektivë normat do të rriten. Mundësia që 40 për qind e popullsisë së Teheranit të infektohet nga koronavirusi është pothuajse zero”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button