Thaçi: Takimi i Uashingtonit, kthesë në dialogun që do të udhëhiqet nga SHBA-ja

Takimi në Uashington në mes presidentëve të Kosovë dhe Serbisë paraqet moment kthese në dialogun ndërmjet dy vendeve me lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente, ai i bëri gjatë një debati në Prishtinë me temën, “Rruga drejt Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë”.

“Jemi të angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme dhe paqësore në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje duhet të sjellë njohjen reciproke mes vendeve tona të pavarura e sovrane si dhe rrugëtim më të përshpejtuara për Kosovën në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Thaçi, transmeton REL.

Ai u ndal sidomos në takimin që zhvilloi të hënën në Uashington me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë – Serbi.

“Takimi i Uashingtonit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë besoj se do të jetë takimi dhe momenti i kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e SHBA-së dhe lidershipit të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, takimi në Uashington është inkurajues për të dy palët dhe “paraqet vullnet të mirë për paqe në Kosovë dhe Serbi dhe hapje e perspektivës ekonomike në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

“Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, theksoi presidenti i Kosovës.

Ai tha po ashtu se është e rëndësisë jetike për procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, që të dy palët të kenë besim në lidershipin e SHBA-së deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

“Edhe pse po flasim për Kosovën dhe Serbinë dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të paqes, mendoj se kjo marrëveshje do të ndikonte edhe në punën e Komisionit për të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Do të ishte hap normal që pas një marrëveshje të tillë të formohej edhe Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin”, tha Thaçi.

Në këtë debat mori pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett i cili tha se e mbështetë punën e Komisionit për të vërtetën dhe pajtimin dhe porositi që ky komision të mos politizohet, por të ketë në fokus viktimat e të gjitha etnive.

“Për të qenë i suksesshëm, ky komision duhet të përqendrohet te viktimat dhe të jetë gjithëpërfshirës”, tha Kosnett.

“Pajtimi nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Definicioni që unë kam në mendje ka të bëjë me angazhimin në mënyrë të sinqertë me të kaluarën, me qëllim që të ndërtohet një e ardhme e përbashkët”, u shpreh ambasadori amerikan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button