Samiti i BERZH-it: Kryeministri kroat kërkon investime në Ballkan

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, u bëri thirrje investitorëve në samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që të investojnë në Ballkanin Perëndimor, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

“Kroacia do të bëjë gjithçka të mundur për të ndihmuar fqinjët juglindorë dhe komuniteti i investimeve duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të mirën e këtyre vendeve dhe për të mirën e të gjithë Bashkimit Evropian”, tha Plenkoviq.

Plenkoviq, si kryeministër i vendit që mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, dhe Suma Chakrabarti, president i BERZH-it, hapën të hënën në Londër samitin e katërt të investimeve të BERZH-it në Ballkanin Perëndimor.

Në të po marrin pjesë edhe kryeministrat e gjashtë vendeve të Evropës Juglindore: Albin Kurti i Kosovës, Edi Rama i Shqipërisë, Oliver Spasovski i Maqedonisë së Veriut, Ana Bërnabiq e Serbisë, Dushko Markoviq i Malit të Zi, dhe Zoran Tegeltija i Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ne jemi vendi që e njohim më së miri këtë rajon dhe që u ofrojmë mbështetje këtyre vendeve, për të përshpejtuar rrugën e tyre drejt BE-së”, tha Plenkoviq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Presidenti i BERZH-i, Chakrabarti, paralajmëroi nënshkrimin e gjashtë projekteve të reja për Ballkanin Perëndimor.

BERZH është një nga investitorët më të mëdhenj në rajon, ku deri më tash ka investuar 13 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button