Sa janë të interesuar të rinjtë tanë të lexojnë?

Ngadalë ritet interesimi i rinisë shqiptare në vend për të lexuar. Në lidhje me atë se sa lexojnë të rinjtë tanë, për Portalb folën Afrim Gashi i cili është përfaqësues i shtëpisë botuese Logos-A dhe Norik Selimi , themelues i Librarisë së Çarshisë .

Afrim Gashi nga shtëpia botuese Logos-A, tha se mënyra e matjes se sa lexojnë qytetarët bëhet nëpërmjet analizimit të interesit për libra në panairet e librave, dhe nëpërmjet asaj se sa të rinjtë blejnë libra.

“Në qoftë se gjykojmë në bazë të këtyre dy parametrave, atëherë interesimi nuk është i madh, mirëpo kisha dashur të përmend se me projektin  100.000 libra për 100 Vjetorin e Pavarësisë jemi befasuar nga interesi i madh”, tha Gashi. 

Ai më tej shtoi se ndoshta ka faktorë tjerë të cilët ndikojnë dhe pengojnë që qytetarët të shprehin interes si për shembull faktori ekonomik.

Çarshia e Shkupit, është pasuruar edhe me një librari e cila u hap në Prillin e këtij viti.

Se sa vizitohet dhe frekuentohet Libraria e Çarshisë, për këtë foli themeluesi i kësaj librarie, Norik Selimi i cili tha se Libraria e Çarshisë u mundëson lexuesve të blejnë libra të botuar në Shqipëri, libra të cilat më parë nuk kanë mundur ti gjejnë lexuesit e vendit tonë, dhe kjo ka ndikuar në rritjen e dëshirës për të lexuar.

“Prej hapjes së librarisë së çarshisë deri sot, unë si drejtues i kësaj librarie jam i kënaqur nga interesimi. Librat të cilat i botojnë shtëpitë botuese të Shqipërisë, ka qenë rëndë të gjinden këtu në Maqedoni, mirëpo si tituj janë të nevojshëm për lexuesit e vendit tonë, dhe me hapjen e librarisë së çarshisë këto libra janë të dispozicion për qytetarët”, tha Selimi. 

Ai shtoi se interesi mund të jetë edhe më i madh mirëpo duke e pasur në konsideratë që më parë nuk ka pasur librari të tilla, interesi është i bollshëm.

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button