Zbulohen telefonatat e Thaçit me Grabovcin: Krasniqin e quan Jakupovski (AUDIO)

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka rënë në një përgjim gjatë bisedave me shefin e grupit parlamentar të partisë së tij, Adem Grabovci. Thaçi gjatë bisedës kryetarin e kuvendit Jakup Krasniqi e quan “Jakupovski”, derisa heziton të shkojë në Malishevë për të mbajtur një fjalim në 12-vjetorin e PDK-së nga frika se mos po “ia gjigav kush”. Në një e-mail, që u është dërguar medieve, janë përgjimet telefonike të regjistruara në audio, dëgjohen duke biseduar zyrtarët më të lartë të PDK-së, përfshirë edhe ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veseli.

Në një bisedë tjetër dëgjohet duke folur Vlora Çitaku me Grabovcin. Ajo thotë se sa të jetë Jakup Krasniqi do të jetë problem, ndërsa Grabovci i kërkon t’i punësojë dikë si praktikant në Ministrinë e saj.

Më “atraktivi” duket Sami Lushtaku, i cili të sharat nuk i heq nga goja. Ai e quan Krasniqin qen dhe e pyet Grabovcin se pse nuk po e shkarkon partia. Ndërkohë, Grabovci i raporton për çdo detaj Kadri Veselit.

Menjëherë pas bërjes publike të përgjimeve , ka reaguar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila e ka dënuar këtë akt, duke e quajtur falsifikim dhe të paligjshëm, si dhe ka kërkuar ndriçimin me urgjencë të këtij akti skandaloz dhe kundërligjor. 

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër publikimin e përgjimeve të falsifikuara dhe joligjore të bisedave telefonike, të cilat gjoja janë bërë ndërmjet zyrtarëve të lartë institucional.

Qeveria kërkon me urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor.

Publikimi i përgjimeve të tilla të fabrikuara me qëllim të shantazhimit të personaliteteve institucionale dhe jetës së tyre private është vepër e kundërligjshme dhe e dënueshme. Për më tepër, veprimet e kësaj natyre janë përpjekje e drejtpërdrejt e mekanizmave të caktuar vendorë dhe disa ndërkombëtarëve për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institucionalë dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button