Helmi që mbyt rreth 30 përqind të rinisë shqiptare

Në Maqedoni vazhdimisht rritet numri i të varurve nga lëndët narkotike. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin se rreth 10.000 persona janë të varur nga narkotikët, mirëpo numri jo zyrtar, pretendohet të jetë më së paku 50.000. 

Për Portalb, nga shoqata qytetare “Doverba” alarmojnë se ky devijim social dita ditës në vend po merr hovin ndërsa më shqetësues është fakti se kufiri i moshës më të re i të varurve vazhdimisht ulet.

 “Situata na Maqedoni dhe rajon në lidhje me drogat është skajshmërish alarmante. Në 12 vjetshin e fundit numri i të varurve nga lëndët narkotike është rritë për 10 herë. Më shqetësues është fakti se kufiri i moshës më të re i të varurve vazhdimisht ulet, më i riu i cili është regjistruar ka vetëm 11 vjet”, lajmërojnë nga Doverba.

Nga kjo organizatë  e cila merret me rehabilitimin e të varurve, alarmojnë se mosha më e prekur nga ky problem janë të rinjtë nga 18 vjeç deri në 25 vjeç, moshë e cila përbën 50% e numrit total të të varurve. Ata lajmëruan se këtë vit ka të regjistruar 260 të varur të ri, ndërsa kanë vdekur 14 persona. 

Meshkuj janë ata të cilët kanë tendenca të bëhen të varur dhe atë 70% nga numri i përgjithshëm i regjistruar nga MPB janë meshkuj, 30% femra. Ndërsa sa i përket përkatësisë etnike 30% janë shqiptarë, 55% janë maqedonas, 10% rom dhe 5%  tjerë. 
Më shpesh të rinjtë helmohen me heroinë, metadon si dhe marihuanë.
 
Për Portalb, Dr. Sedat Lumani foli për ndikimin e lëndëve narkotike në organizmin e njeriut. 

 “Lëndët narkotike kanë efektin e tyre negativ si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikik. Në aspektin fizik, ato  janë materie toksike të cilat e dëmtojnë në radhë të parë mëlçinë, qelizat e trurit, çrregullime të metabolizmit,dhe në përgjithësi organizmi fillon të dobësohet, ndërsa në aspektin psikik, dëmtimi i qelizave, jep varshmëri dhe vjen deri te destabilizimi moral psikik”, tha ai.

Lumani potencoi se shërimi nga varshmëria është i mundshëm përderisa nuk kalohet faza në të cilën organet janë të dëmtuara, dhe nuk mund të shërohen.

“Vdekja është e pashmangshme për konsumuesit e drogës, herët apo vonë si pasojë e konsumit të drogës konsumuesit vdesin” përfundon Lumani.

Në Shkup ka disa qendra për shërimin e sëmundjeve të varësisë: Qendra për varësitë në Kisela Voda, 8 Shtatori, Qendra Klinike dhe disa ambulanca private. Qendra tjera ka edhe në qytetet tjera të Maqedonisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button