Dimitrov-Maio: Mbështetje nga Italia për anëtarësimin në BE dhe NATO

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, sot u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, i cili qëndron për vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se Italia është mik i dëshmuar dhe i madh i Maqedonisë së Veriut edhe në aspektin bilateral dhe anëtarësimit në NATO, ministri Dimitrov tha se vizita e sotme ka simbolikë të saj meqë në Parlament do të ratifikohet Marrëveshja Veriatlantike.

Ministri Dimitrov, rikujtoi se gjatë një viti e gjysmë, Maqedonia e Veriut ishte shumë afër suksesit për fillimin e negociatave aderuese me BE-në.

“Besojmë se me sjelljen e këtij vendimi të merituar për shtetin tim, do të jep inkurajim të mëtejshëm të procesit reformues dhe njëherësh do t’i ruaj arritjet e rëndësishme, por edhe kredibilitetin dhe ndikimin e zërit të politikës së Bashkimit Evropian në rajonin tonë”, theksoi ministri Dimitrov.

Luigi di Maio, duke theksuar se Italia e Maqedonia e Veriut janë vende mike, tha se Italia edhe njëherë fuqishëm mbështet ambicien legjitime të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Familja e madhe evropiane përballet me vende të cilat dëshirojnë të dalin prej saj dhe kjo është edhe një arsye më e madhe që të kemi marrëdhënie të mira me ato vende dhe popuj që dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian”, tha ministri Maio.

Në pyetjen e gazetarëve nëse pret miratimin e shpejtë të metodologjisë së re dhe nëse në mars do të ketë fillim të negociatave aderuese, Luigi di Maio tha se që të garantohet shpejtësia me të cilën BE do të lëviz është një punë shumë ambicioze, por se angazhimi i tyre është që kjo të ndodhë sa më shpejtë që është e mundur.

Ministri Maio po ashtu falënderoi qeverinë e vendit që u mundëson ndërmarrjeve italiane të investojnë në këtë vend dhe të kenë mundësi të reja për zhvillim.

Ministri italian Di Maio u prit edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa do të ketë takime edhe me kryeministrin teknik Oliver Spasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button