Naomi, dikur problematike, tani humanitare

Modelja e njohur Naomi Campbell në prag të moshës 43-vjeçare ka vendosur ta ndryshoj veten dhe jetën e saj. Ajo tashmë është ngopur me imazhin e një femre të dhunshme dhe dëshiron që tani e tutje të njihet për punën e saj humanitare. Ajo në disa raste ka rrahur asistentet e saj, duke i gjuajtur edhe me celular, ndërsa njëra prej tyre kishte deklaruar se Naomi e kishte goditur me “Blackberry” në kokë.

Ajo i kishte ofenduar stjuardesat dhe kishte grushtuar ndihmësen shtëpiake. Gjatë tërë kësaj periudhe, ajo kishte konsumuar kokainë dhe këtë siç shprehet ajo, në atë kohë ishte ndjerë e pamposhtur. Para disa vitesh është dashur të kryej 200 orë punë vullnetare në një kuzhinë publike, sepse kishte pështyrë dhe goditur policët në aeroportin britanik “Heathrow”.

“Kam menduar se kurrë nuk do të arrij të mbijetoj datëlindjen e 43-të. Ka pasur kohëra kur e kam pasur të vështirë ta shikoj veten time në pasqyrë, sepse nuk më pëlqente personi që e shihja në të. Periudha mes viteve 1998-2005, ishte mjaft e vështirë. Është dashur që vetvetiu të shoh se çfarë është e rëndësishme në jetën time, me çka nuk isha e kënaqur dhe çfarë dua të ndryshoj”, tha Naomi në intervistën për mediet e huaja.

Ajo për një pjesë të problemeve të saj, e ka fajësuar karrierën e modelimit. “Manekinet janë mësuar që vazhdimisht të udhëtojnë. Më tmerronte të menduarit që të ulem dhe në qetësi të përballesha me të gjitha frikët e mia, kështu që këtë e kam shmangur”, ka zbuluar Naomi.

Sulmet e zemërimit, nuk ka qenë i vetmi problem i saj, por ajo udhëhiqte betejën me alkoolin dhe drogat. Që të përmirësohet si person, atë e kanë ndihmuar miqtë dhe familja. Ata nuk janë munduar ta përkëdhelin, por i kanë treguar se si me të vërtetë qëndrojnë gjërat, kështu që edhe vet manekinia kishte filluar t’i shoh gabimet e saj. Daljen nga turbulenca në jetën e saj, ajo e ka gjetur edhe me punën humanitare. Inspirimin për të ndihmuar, ajo e ka gjetur tek Nelson Mandela, të cilin e quan gjyshin e saj të nderuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button