Chavez rikthehet në Kubë për kurim

Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, do t’i nënshtrohet një trajtimi të ri mjekësor në Kubë, ku prej muajsh po merr një kurim të specializuar për shkak të një tumori. 

Chavez, i cili u rizgjodh në zgjedhjet presidenciale në tetor dhe pritet të marrë zyrtarisht mandatin e tretë në janar, është operuar dy herë më parë për shkak të sëmundjes.

Sipas deklaratës së zëdhënësit të Presidentit, Chavez nuk do të ketë nevojë për kimioterapi, por për një lloj tjetër trajtimi rigjenerues, për shkak të lodhjes gjatë një fushate të vështirë presidenciale.

Presidenti i Venezuelës u diagnostikua me kancer në vitin 2011, por asnjëherë nuk është zbardhur kartela e plotë mjekësore e tij për mediat.

Një vend me 29 milionë banorë, Venezuela zë një vend kyç në veriun e Amerikës së Jugut dhe është eksportuesi më i madh i naftës në kontinent. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button