Qytetarët e Shkupit thithin më shumë pluhur sesa oksigjen

Qytetarët e Shkupit, si çdo dimër, edhe këtë vit thithin më shumë pluhur sesa oksigjen. Ditëve të fundit ajri në qendër të Shkupit dhe në lagjen Lisiçe të re është “në nivel të lartë” të ndotjes nga grimcat e pluhurit me madhësi prej 10 dhe 2,5 mikrometra.

Ky është niveli më i lartë i ndotjes, sipas të dhënave nga ueb faqja më e re e Ministrisë së mjedisit dhe planifikimit hapësinor, e cila drejtpërsëdrejti shfaq informata në lidhje me cilësinë e ajrit nga të gjitha stacionet matëse në Maqedoni. Për shembull, këto ditë në qendër të Shkupit pluhuri është dy herë më i ndotur sesa niveli i lejuar i ndotjes, ndërsa ndotja rekord është arritur në lagjen Lisiçe të re. Atje dje pasdite koncentrimi i pluhurit PM 10 ka qenë 400 miligramë në metër kub, që është mbi 8 herë më i lartë se niveli i lejuar prej 50 miligramë dhe tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.

Nga tabelat në faqen e internetit mund të shihet se kjo gjendje është konstante në Shkup, që nga fillimi i vjeshtës. 

Sipas ligjit, gjatë një viti, numri i ditëve kur tejkalohet kufiri i lejuar i koncentrimit të pluhurit është 35 herë. Mirëpo, nga ueb faqja e Ministrisë mund të shihet se ky numër ka kohë që është tejkaluar, gjegjësisht, në qendër të Shkupit ajo ka ndodhur 175 ditë, në Karposh 143 ditë, në Lisiçe të re 242 ditë, në Gazi Babë 152 dhe te Rektorati i Universitetit “Qirili dhe Metodi”, 170 ditë.

Qyteti i Shkupit lavdërohet me një stacion që nuk punon

Sistemi online të cilin Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor e lëshoi në përdorim kohë më parë është më gjithëpërfshirës nga ai i “Shkupi merr frymë”, stacioni matës në qendër të Shkupit i cili ka muaj që nuk punon. Ueb faqja e re azhurnohet çdo orë me informata të reja nga të gjitha stacionet matëse të Ministrisë. 

Mjeti matës i Qytetit të Shkupit, “Shkupi merr frymë” ndaloi së punuari që nga korriku i këtij viti pasi që, siç thonë nga Qyteti i Shkupit, po mendohet për zhvendosje të tij në ndonjë lokacion tjetër, sepse rreth lokacionit ku ai tani ndodhet po ndërtohet disa objekte dhe prandaj, matjet nuk do të jenë të sakta. 

Ndotja i kushton Maqedonisë 1350 jetë dhe 253 milionë euro

Sipas analizave të Bankës botërore të publikuar kohë më parë, në Maqedoni vdesin 1.350 persona  në vit, si pasojë e ndotjes së ajrit me grimca të vogla pluhuri (PM 10).
Në qoftë se do të zvogëlohej ndotja deri në nivelin e paraparë të BE-së, do të shmangeshin mbi 800 vdekje, ndërsa ndotja e ajrit i kushton ekonomisë rreth 253 milionë euro në vit, ose 3,2 për qind nga BPV gjatë vitit të kaluar./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button