RDK 400 amendamente për buxhetin, thërret bashkimin e shqiptarëve

Deputetët e partisë opozitare RDK kanë dorëzuar sot 400 amendamente për Propozim Buxhetin për vitin 2013. Deputetët e kësaj partie Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri Kreci deklaruan se me këto amendamente kanë për qëllim marrjen e “hises” shqiptare në buxhetin e vitit të ardhshëm, në pjesën e investimeve kapitale.

“Ne si RDK duke e analizuar Buxhetin e vitit 2013 dhe duke analizuar çdo zë të çdo ministrie, kemi propozuar rreth 400 amendamente për propozim buxhetin  e Maqedonisë dhe ne gjykojmë se 370 milion euro të cilat parashihen si investime kapitale, pikërisht me këto amendamente mund të merren 25 për qind për regjionet shqiptare që do të ishte diku mbi 90 milion euro. Shprehim keqardhje se të gjitha projektet e shkruara në infrastrukturë dhe në Sferën e kulturës dhe Arsimit të shkruara në Buxhet, janë projekte “copy-paste” të buxhetit të vitit 2012. Shprehim keqardhje që ministrat e BDI-së nuk kanë arritur të realizojnë këto investime kapitale dhe këto projekte të cilat shkruhen prej viti në vit dhe VMRO-DPMNE konkretisht Ministria e Financave nuk u jep para për realizimin e tyre” – tha Izet Zeqiri.

RDK ka kërkuar mbështetjen edhe të dy partive tjera shqiptare, BDI dhe PDSH që të bllokohet miratimi i buxhetit nëse nuk pranohen amendamentet me të cilat tentohet të arrihet përqindja adekuate e parave të adresuara për paratë shqiptare.

“Ashtu siç VMRO-DPMNE në bashkëpunim me LSDM-në rrëzon për çdo ditë amendamentet e BDI-së për Forcat e Sigurisë, mendoj se janë pjekur kushtet që BDI bashkë me PDSH-në dhe RDK-në të rrëzojnë buxhetin e vitit 2013 që është buxhet diskriminues dhe që diskriminon shqiptarët e Maqedonisë. Mendoj se janë shumë të mjaftueshme dhe të fuqishme votat BDI-së sepse pa BDI-në nuk mund të sillet Buxheti i vitit 2013” – deklaroi Zeqiri.

Nga kjo parti kanë kërkuar gjithashtu që buxheti të sillet me votim të dyfisht, gjegjësisht me parimin e Badenterit.

“Gjithashtu ne si RDK kërkojmë që buxheti të sillet me badenter, në të gjitha zërat e buxhetit që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, dhe urgjentisht të formohet edhe këshilli fiskal, për mes të cilit këshill fiskal do të kalonte buxheti i Maqedonisë i vitit 2013 i cili gjykojmë se është buxhet diskriminues për shqiptarët” – tha Zeqiri.

Nga BDI thonë se çështja e buxhetit është çështje që do të vendoset në organet qendrore të partisë. Ata do të shqyrtojnë Propozim Buxhetin dhe do të vendosin për qëndrimin gjatë debatit dhe votimit të këtij buxheti./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button