Tetovë, Qendra diagnostike ende pret mjetet nga Qeveria

Qendra diagnostike e cila duhet të funksionojë në kuadër të spitalit klinik të Tetovës, edhe pse është e ndërtuar, ka disa vite që pret të lëshohet në përdorim. Arsyeja pse deri më tani nuk punohet në këtë objekt është mungesa e mjeteve financiare për të kompletuar atë me pajisjet e nevojshme.

Sekretari i Spitalit klinik Vebi Ismaili për Portalb thotë se gjatë vitit të ardhshëm do të lëshohet në përdorim kjo qendër , për të janë ndarë para në buxhetin shtetëror 2013. 

“Duhet të kemi parasysh se ky është një investim kapital dhe nevojiten shumë mjete”,  shprehet Ismaili.

“Në bazë të asaj që është paraparë nga buxheti i Qeverisë së Maqedonisë, në vitin 2013 pritet që ky spital të jetë i përfunduar dhe të lëshohet në përdorim për qytetarët. Tash më punët janë duke u finalizuar. Kjo qendër nuk do të jetë vetëm në përdorim të rajonit të Tetovës por do të gjejë një përdorim edhe më të gjerë rajonal”, shprehet ai.

Ismaili informon se në spitalin klinik të Tetovës njëkohësisht është duke u punuar edhe në pajisjen me aparatura të reja si dhe në rikonstruimin e reparteve të ndryshme. 

Ndryshe, nga ana e ministrit të shëndetësisë, Nikolla Todorov por edhe nga ai para tij, Bujar Osmani, janë premtuar disa herë mjete për përfundimin e kësaj qendre diagnostike, por për të parë se faktikisht do të ndodh kjo duhet të presim ftesën për prerjen e këtij shiriti./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button