Emrat e deputetëve të ri të Shqipërisë

Kur kanë mbetur ende 200 kuti votimi për t’u numëruar në të gjithë vendin nga 5508 gjithsej, pak lëvizje ka pasur 24 orët e fundit. Qarku i Kukësit është barazuar mes të majtës dhe të djathtës, duke ndryshuar ngjyrat elektorale në të vetmin qark ku demokratët ishin fitues. Demokratët kanë humbur një deputet, të cilin e ka marrë LSI, njofton Panorama.

Apostol Goçi është deputeti më i ri i LSI në këtë qark. Por Partia Demokratike ka marrë një deputet në qarkun e Shkodrës, duke shkuar në 5 mandate me Gjovalin Bzhetën në një garë brenda llojit, duke ia marrë Partisë Republikane, të cilin deri dje e kishte marrë Gaspër Kokaj.


Lëvizje dje ndodhën dhe në qarkun e Tiranës. PS ka humbur një mandat, Dashamir Pezën, duke ia marrë PD me Asllan Dogjanin. 

Jashtë Parlamentit mbeten dhe dy kandidatët e pavarur, Arben Malaj dhe Dritan Prifti. Që të dy janë nga deputetët e vjetër të Parlamentit shqiptar, por pasi nuk u kandiduan nga PS, ata vendosën të dalin të pavarur në qarqet Vlorë dhe Fier.

Malaj arriti të grumbullojë 3035 vota, ndërsa Prifti 6162 vota pa mundur të arrijë pragun për të marrë mandatin e deputetit. “Zhgënjimi më i madh në këto zgjedhje nuk është rezultati ynë, por frika që konstatuam gjatë fushatës elektorale. Frikë nga pasiguria për të ardhmen, frikë nga presionet e administratës, frikë nga presionet për vendin e punës apo biznesin”, u shpreh Malaj dje pas rezultatit të votimit. 

Numërimi i votave ka rikthyer në Parlament disa figura që i mungonin atij që prej 2005-s. Anastas Angjeli, Agron Duka dhe Musa Ulqini rikthehen në Kuvend. Angjeli dhe Ulqini me siglën e PS, ndërsa Duka kandidoi me siglën e Partisë Republikane në Shijak. LSI ka sjellë një numër rekord deputetësh në Kuvend, 18, bashkë me Spartak Brahon që kandidoi nën siglën e PS. LSI ka marrë deputetët jo vetëm në qarqet kryesore të vendit, por dhe në qarqe si Dibra apo Lezha. PDIU rikthehet në Kuvend me dy mandate më shumë.

Përveç Shpëtim Idrizit dhe Dashamir Tahirit, në Kuvendin e Shqipërisë kjo parti do të ketë dhe Tahir Muhedinin dhe Aqif Rakipin. Partia Republikane merr tri mandate, pa përfshirë këtu Fatmir Mediun, që kandidoi nën siglën e PD-së. Luan Duzha në Elbasan, Agron Duka në Durrës dhe Ylli Shehu në Tiranë. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut qëndron në një mandat, si dhe në 2009, dhe përfaqësohet me kryetarin e saj, Vangjel Dule. Ndërsa aleatja e PS, Partia Kristian-demokrate, ka marrë një deputet, Mark Frrokun në qarkun e Shkodrës.

Lajme të ngjashme

Back to top button