Në Kaçanik 40% e listave të votuesve me probleme

Dyzet për qind e listave të votuesve në Kaçanik kanë dalë të jenë problematike. Këtë përfundim e ka nxjerrë Instituti Demokraci për Zhvillim, i cili e ka bërë edhe hulumtimin intensiv në terren në komunën e Kaçanikut, ku ka bërë matjen e shkallës së saktësisë të listës së votuesve në këtë komunë, raporton KTV-ja. Ky auditim i D4D-së ka treguar se 60 për qind e emrave të votuesve jetojnë në lokalitetet ku edhe figurojnë emrat e tyre, ndërsa të tjerët ose janë të vdekur, ose jetojnë jashtë vendit. 

Sipas auditimit një listë e tillë e votuesve nuk është e besueshme dhe nuk mundëson zgjedhje të drejta. Për këtë  u pajtua edhe ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, i cili tha se për të pasur zgjedhje të drejta është e domosdoshme të bëhen lista të sakta, në të kundërtën sipas tij zgjedhjet nuk do ta kenë legjitimitetin e plotë. Ai ka thënë se do të ishte mirë që votuesit të pajiseshin me dokumente të veçanta, që do të shërbenin vetëm për votim. 

Ndërkohë përfaqësuesi i KQZ-së, Adnan Rrustemi, fajin për këtë çështje ia ka hedhur institucioneve përkatëse. Ai ka thënë se sikur të bëhej monitorimi i regjistrave civilë, atëherë do të bëhej përmbysja e kësaj përqindjeje të D4D-së, ngase pasaktësi më të mëdha ka në regjistrin civil sesa në listën e votuesve të KQZ-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button