Talati kumbarë i ‘Branitellave’

Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale filloi shqyrtimin e amendamenteve për Propozim Ligjin për të drejta të veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë, i njohur në opinion si Propozim Ligji për branitellat. Amendamenti i parë i propozuar nga grupi parlamentar i BDI-së kishte të bëjë me titullin e ligjit, me kërkesë që të ndryshohet formulimi i propozuar “Ligji për të drejta të veçanta për pjesëtarët e forcave të sigurisë në konfliktin e vitit 2001 dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, titull që përjashton pjesëmarrësit shqiptar në konfliktin e armatosur.

Propozimi i BDI-së është që ky ligj të quhet “Ligji për të drejta të veçanta për pjesëmarrësit në konfliktin e vitit 2001 dhe anëtarët e familjeve të tyre”, me çka këtij ligji do ti jepet karakter multietnik dhe të barabartë.

“Ne ritheksojmë faktin në fillim të këtij debati për amendamentet se BDI mendon që ka nevojë të zgjidhet kjo çështje, por mënyra se si propozohet të zgjidhet nuk korrespondon me përcaktimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, nuk korrespondon me përcaktimet që dalin nga Kushtetura e RM-së, për faktin që pas vitit 2001 këto norma ligjore, kjo marrëveshje e nënshkruar në Ohër udhëzon që në Republikën e Maqedonisë të gjithë duhet të punojnë bashkërisht që të kthejnë mirëbesimin e ndërsjellë mes palëve, të ndërtojnë paqen në Republikën e Maqedonisë dhe të inkorporojnë të gjithë qytetarët në institucionet e saj”  – tha Talat Xhaferi në arsyetimin e amendamentit.

Nga ana tjetër, deputeti opozitar Izet Zeqiri theksoi se një gjë e tillë, një ligj i përbashkët dhe jodiskriminues arrihet me vendim politik dhe jo me 15.000 amendamente, ashtu siç vepron BDI.

“Ne u përkrahim në qëndrimin e juaj kundër këtij ligji, mirëpo nuk u përkrahim si parti në koalicionin qeveritar që jeni, që dëshironi ta pengoni miratimin e këtij ligji përmes veprimeve procedurale dhe jo me qëndrim politik të prerë. Ju jeni partner të koalicionit, ju menaxhoni shtetin, merreni vesh për çdo çështje, keni takime dhe konsulta të përbashkëta, në çdo moment hyni në sallën plenare dhe votoni ligjet që propozon Qeveria dhe VMRO DPMNE, kurse tani keni mendime të ndara, që për mendimin tim është e papranueshme dhe kërkoj si deputet ju të keni një qëndrim politik, jo qëndrime procedurale me propozim të amendamenteve që keni bërë” – tha deputeti i RDK-së Izet Zeqiri. 

Deputeti tjetër i BDI-së Xhevat Ademi potencoi se pikërisht në titull do të shihet se a do të ketë ligj apo jo, duke shpjeguar se nëse pranohet amendamenti i parë i BDI-së me të cilin propozohet që në këtë ligj të përfshihen të gjithë pjesëmarrësit në konfliktin e 2001, përfshi këtu edhe ish UÇK-në, atëherë mund të ketë ligj, ndërsa nëse nuk pranohet ky amendament, atëherë debati i mëtejshëm është i kotë, për shkak se sipas tij ligj nuk do të ketë. 

Të gjithë deputetët e pranishëm të BDI-së po shfrytëzojnë të drejtën e fjalës në fillimin e shqyrtimit të amendamenteve, të replikuar nga deputetët e RDK-së, Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri Kreci, përderisa ato të PDSH-së që në fillim lëshuan sallën e Komisionit dhe nuk marrin pjesë në diskutim. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button