Strugë, Dibër, Kërçovë dhe Ohër, në mënyrë drastike bie numri i nxënësve!

Në Strugë, Dibër, Kërçovë dhe në Ohër, sivjet në klasën e parë janë regjistruar gjithsej 1731 nxënës, ndërsa sipas informacioneve që ka siguruar Portalb, ky numër do të duhej të ishte më shumë se një herë më i madh se kaq.

Në fakt, moshën për t’u regjistruar në klasën e parë, në të katër këto qytete e kanë plotësuar 3851 nxënës të lindur dhe të regjistruar në institucionet përkatëse të këtyre komunave, por  hiç më pak se 2120  prej tyre për shkaqe që tanimë  dihen , shkollimin në klasë të parë e fillojnë në  vendet ku janë shpërngulur dhe jetojnë dhe punojnë  përkohësisht familjet e tyre.

Kështu, në Strugë moshën për të vijuar mësimin në klasën e parë e kanë plotësuar 1070 nxënës, por vetëm 556 prej tyre do të ndjekin mësimet në klasën e parë në shkollat fillore të Komunës së Strugës dhe Vevçanit. Domethënë,  514 nxënës, që kanë lindur dhe janë evidentuar në zyrat e vendit të këtyre komunave, nuk o të ndjekin mësimin këtu, por diku gjetkë, në vendet perëndimore, apo  tejoqeanike.

Në Kërçovë, ndërkaq raporti  midis atyre fëmijëve që kanë lindur në vendbanimet e kësaj komune dhe janë regjistruar në zyrat civile dhe atyre që do të regjistrohen në klasën e parë është 1039 me 418. Pra, shifrat në këtë drejtim  janë më të dhimbshme, sepse 621 nxënës të klasës së parë të kësaj Komune, të cilët do të duhej të mbushnin klasët edhe oborret e shkollave të vendbanimeve të kësaj komune, këtë gjë do ta bëjnë jashtë vendit.

Edhe Komuna e Dibrës nuk është në gjendje të mirë, në këtë drejtim, sepse  nga 714 nxënës që plotësojnë kushtet të regjistrohen në klasën e parë, për t’u regjistruar janë paraqitur vetëm 232 sosh. Ndërkaq, 482 fëmijë që  e mbushin moshën për të vijuar në klasën  e parë, sipas gjitha parashikimeve do të vijojnë mësimin në vendet e tjera.

Por, për dallim nga këto Komuna, gjendja duket, paksa më e mirë,  në Komunën e Ohrit, sepse  në Zyrat Civile të kësaj Komune janë regjistruar 758 nxënës që duhet ta ndjekin mësimin në klasën  e parë, kurse  këtë gjë do ta bëjnë 525 prej tyre, në vendin e tyre.  Të tjerët, pra 233 prej tyre, me gjasë, gjithashtu do të vijojnë  mësimin jashtë vendit, ku qëndrojnë dhe punojnë përkohësisht  së bashku me familjet e tyre.

Në këso kushtesh bëhet e qartë që  rënia drastike  numrit të nxënësve nëpër shkolla mund t’i përshkruhet  rënies së natalitetit dhe emigrimit . 

Lajme të ngjashme

Back to top button