Zaev, Todorovski dhe Kostovski, do të ftohen për të dëshmuar në “Monstra”

Ish kryeministri Zoran Zaev është ftuar që dëshmojë në gjykimin për rastin “Monstra”, me kërkesë të Prokurorisë. Kërkesën e njëjtë e kanë pasur edhe prindërit e djelmoshave të vrarë. Përveç Zaevit, me kërkesë të Prokurorisë do të dëshmojnë edhe informatori Xvonko Kostovski, Zoran Trajkovski, Zoran Velkovski dhe Lupço Todorovski, njofton Portalb.mk.

“kërkojmë që të dëshmojë Kostovski për mënyrën se si janë dorëzuar “bombat” nga DSK deri në PSP. Zoran Zaevin e ftojmë në lidhje me informatat e tij për këtë rast”, tha prokurori Gavrill Bubevski.

Në seancë do të dëshmojë edhe Trajkovski, i punësuar në MPB, bisedat telefonike të të cilit janë lëshuar në seancë, dhe për të cilat është krijuar përshtypje se ka paralajmëruar se do të ndodhë diçka e keqe.

“Paralajmërova se kam dy informata të rëndësishme. Se ose do të sulmojnë stacion policor ose diçka të këtillë”, thotë polici Zoran T, në bashkëbisedim me Nigolla G.

I punësuari në shërbimet e sigurisë bisedon edhe me një bashkëfolës dhe e përsërit të njëjtën.

“Kryerësit janë kosovarë, por ka edhe disa ish kolegë tanë. Informatat janë se ka kohë. Deputetët kanë qenë të informuar, edhe drejtori e ka ditur edhe Sinisha ishte i informuar. U kam treguar përpara 20 ditëve se dëshirojnë të sulmojnë ndonjë stacion policie. U tregova se ka grup, nuk besuan. Një prej pjesëmarrësve është me iniciale B.B.”, thotë Zoran T., pë rtë cilin më pas e pyet nëse është Bashkim Bajrami, ish kolegë, komandant në pikën kufitare Bllacë.

“Po, ai është, është dashur të ketë jatakë. E di si funksionon policia”, thotë polici i cili më pas të njëjtën informatë ia dorëzon edhe këshilltarit për siguri të presidentit, Sinisha Aleksovski, i cili ia kthen se ka logjikë, pasi që Bajrami ka qenë i dënuar me burg të përjetshëm, por është në arrati.

Ai thotë se ka kërkuar edhe takim me Todorovskin, i ka shkruar edhe porosi, por ai nuk e ka thirrur.

“Edhe sot askush nuk thotë, prit pak prej ku e more informatën”, thotë Zoran T., ndaj një bashkëfolësi.

Prindërit e fëmijëve të vrarë për dëshmi e kanë propozuar edhe Sinisha Aleksovskin, i cili ishte këshilltar për siguri nacional i ish presidentit Gjorge Ivanov.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button